Finalja e dytë mes River Plejtit dhe Boka Zhunjorsit u shty sërish dhe tashmë nuk ka një datë apo vend se ku do të luhet ky takim. Edhe pse pritshmëritë janë të mëdha, pasi në të gjithë botën e kishin pritur që finalja e Kupës Libertadores të ishte një derbi i Argjentinës.
Nëse në takimin par gjërat shkuan mirë, në sfidën e kthimit incidentet ishin të panumërta, aq sa u sulmua dhe autobusi i Bokës, duke lënduar disa prej lojtarëve kryesor. Ndeshja u shty dje për disa orë, ndërsa më pas u mendua që të luhej 24 orë më vonë. Në fund erdhi dhe shtyrja pa afat dhe skuadrat duhet të përgatiten për një herë tjetër për ta luajtur ndeshjen finale, që do vendosë dhe fituesen e këtij edicioni.
Të martën është vendosur që drejtuesit e dy skuadrave të ulen e të caktojnë për fatin e kësaj ndeshjeje. Ajo që raportohet nga mediat ndërkombëtare, më saktë nga ESPN është që takimi mund të mos luhet fare në Argjentinë. Duket një ide e çmendur, por e mundshme, pasi rregullorja e parashikon se një ndeshje që shtyhet mund të luhet në një stadium tjetër. Hipoteza e parë është që ndeshja të luhet në Abu Dabi, por kjo mbetet për t’u parë.