Tomori-Bylis u sabotua nga policia të mërkurën, por beratasit kanë bërë një gabim të madh, duke përfshirë mesfushorin në formacion pa qenë fare në Çorovodë…
Edi Spahiu
Ndeshja e parë e turit të parë në Kupë midis Tomorit dhe Bylisit mund të hapë një tjetër skandal, pasi papërgjegjshmëria e drejtuesve beratas nuk mund të mohohet. E gjitha lidhet me plotësimin e protokollit të ndeshjes, ku në të përfshihej edhe emri i mesfushorit Genaldo Sharavolli, i cili në fakt as që kishte udhëtuar me skuadrën. Faktet janë të qarta: Mesfushori nuk shihet as në foton e ekipit para ndeshjes me Bylisin, sigurisht nuk kishte si të ndodhte, pasi në atë kohë ishte duke u stërvitur me ekipin në Berat. Gazeta ka siguruar edhe foton e protokollit origjinal ku faktohet qartazi emri i Sharavollit në të. Sigurisht ne nuk mund të faktojmë dot ndryshimet e bëra në ndonjë moment tjetër, por të paktën deri në ndalimin e ndeshjes emri i Sharavollit ka qenë i shkruar në protokoll. Gabim apo i qëllimshëm ky veprim nuk mund të themi, por kemi të bëjmë me një situatë aspak normale dhe që drejtuesit e klubit beratas duhet ta sqarojnë për tifozët. Mbetet vetëm për t’u parë nëse ka pasur ndonjë korrigjim, pasi nuk është se nuk ka ndodhur diçka e tillë ndonjëherë.
PËRGATITJET – Menjëherë pas ndeshjes së ndërprerë në Kupë me Bylisin, skuadra e Tomorit ka rinisur stërvitjen për ndeshjen me Pogradecin. Me interes është pritur ndeshja e kontrollit, në të cilën tekniku Dule ka hedhur formacionin më të mirë të mundshëm që pritet të zbresë në fushë ditën e shtunë në ndeshjen e javës së parë të kampionatit. Pogradeci vlerësohet maksimalisht në Berat, por do kërkohet me insistim fitorja. Ditën e sotme pritet të shihet më qartë se kush do të jetë formacioni që do të sfidojë skuadrën e Pogradecit të shtunën.