Higuain-Kaldara-Bonuçi: shifrat e operacionit mes Milanit dhe Juventusit

Në momentin kur Gonzalo Higuain i tha “Po” Milanit, marrëveshja u zhbllokua. Sulmuesi u vesh zyrtarisht kuqezi, ashtu sikurse edhe Matia Kaldara, ndërsa te Juventusi u rikthyer Leonardo Bonuçi, vetëm një sezon pasi u transferua te “Djalli”. Operacioni i merkatos, që për nga interesi rivalizoi me transferimin e Kristiano Ronaldos te bardhezinjtë, ishte mjaft i komplikuar, por në fund i kënaqi të githë.

Milani siguron një mbrojtës të perspektivës dhe një bomber pas asnjë kosto për arkat e klubit, ndërsa në anën tjetër Juventusi siguroi të ardhura, me të cilat rregulloi bilancet pas milionave të shpenzuara për CR7. Këto janë të gjitha shifrat e operacionit të merkatos, që mbajti Serinë A pezull për ditë me radhë.

 

HIGUAIN TE MILANI

– Gonzalo Higuain i kushtoi kuqezinjve 18 milionë euro për huazimin në këtë sezon.

– Blerja e kartonit të sulmuesit gjatë sezonit të ardhshëm është caktuar në 36 milionë euro.

– Në vitin e tij të parë te Milani, Higuain do të përfitojë pagë në vlerën 9,5 milionë euro.

– Argjentinasi firmosi për tre vjet: nga sezoni i dytë ai do të përfitojë 10 milionë euro në sezon.

 

BONUÇI TE JUVENTUSI

– Mbrojtësi u vlerësua nga Milani 35 milionë euro në merkato.

– Në rikthimin te Juventusi, Bonuçi firmosi kontratë 5-vjeçare me bardhezinjtë.

– Do të përfitojë 5 milionë euro plus bonuse, kundër 7,5 milionëve dhe shpërblimeve, të cilat bënin që paga e tij te Milani të shkonte në 10 milionë euro.

– Në terma ekonomikë, Milani nuk ka humbur asgjë nga ky transferim.

 

KALDARA TE MILANI

– Mbrojtësi vlerësohej 35 milionë euro nga Juventusi, çmim i njëjtë me atë të Bonuçit.

– Kaldara firmosi kontratë 5-vjeçare me Milanin.

– 24-vjeçari do të përfitojë 2 milionë euro rrogë plus bonuse te kuqezinjtë.

– I paguan 13 milionë euro Atalantës dhe e shkëmbyen me Bonuçin, nga kalimi i Kaldarës te Milani, Juventusi përfitoi 22 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *