Heroi i përrallës së Kosovës fut në “sherr” klubet europiane

Një përrallë e vërtetë futbolli ajo që po përjeton Kosova. Përfaqësuesja e njohur në arenën ndërkombëtare afro dy vjet më parë, arriti suksesin e parë të madh historik: ngjitjen në Ligën C të Nations League dhe të drejtën për të luajtur në “play off” për një vend në Euro 2020. Në fitoren 4-0 ndaj Azerbajxhanit, heroi i ndeshjes ishte Arbër Zeneli, autor i tre golave.

Sulmuesi i krahut të Herenvenit në Holandë, ishte protagonisti absolut i skuadrës që nga një ëndërr ndër dekada, është kthyer në një realitet. Përfaqësuesja e drejtuar nga Shaland e mbylli vitin 2018 pa humbje. Një arritje e cila u bë e mundur edhe falë kontributit dhe golave të Zenelit.

I lindur në Sater të Suedisë, më 25 shkurt 1995, ndërsa familja e tij më pas u trensferua në Falun e më pas në Boras. Arbëri nisi të luante futboll në moshë të vogël, ku u bë pjesë e ekipeve të moshave të Halsingardens AIK, ndërsa në moshën 10-vjeçare talenti i tij u spikat nga klubi i mirënjohur, IF Elfsborg, që e afruan djaloshin në skuadër.

Aty, në mars të vitit 2014, erdhi edhe debutimi në moshën 18-vjeçare, në Kupën e Suedisë kundër Ostersunds. Prej atij momenti, trajneri i IF Elfsborg e kishte të vështirë t’a nxirrte nga fusha, ndërsa në vitin 2015 erdhi edhe shpërthimi. Zeneli nisi të luante rregullisht dhe i mahniti të gjithë me ecurinë e tij: 10 gola në 30 ndeshje.

Paraqitje të cilat nuk kaluan pa u vënë re nga klubi holandez i Herenvenit, të cilët e blenë në janar të 2016-ës. Në gjysmën e dytë të atij sezoni, Arbëri luajti 17 ndeshje dhe realizoi 4 gola. Impakt i jashtëzakonshëm, por talenti nuk kishte ndërmend të ndalej. Me kalimin e kohës, “xhehaviri” i Kosovës u kthye në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës: 93 ndeshje të luajtura deri më tani, 20 gola të shënuar dhe 23 asist.

Numra që në mënyrë të paevitueshme kanë tërhequr vëmendjen e mjaft klubeve nga ligat e mëdha europiane. Të gjithë synojnë të sigurojnë shërbimet e talentit, edhe sepse më 30 qershor 2019, Zenelit i përfundon kontrata. Shpërthyes, i shpejtë dhe i plotësuar fizikisht (1,76 metër dhe 70 kg). Në bagazhin teknik të sulmuesit të krahut nuk mungon shpejtësia në manovër, përpos nivelit teknik të lartë. Aftësi të cilat bëjnë që të jetë i shkëlqyer në situatat një kundër një.

Arbër Zeneli i ka të gjitha kartat në rregull për të nisur fluturimin drejt ligave më prestigjoze në Europë. Fundi i kontratës te Herenveni e ka kthyer në një objektiv të dëshiruar nga shumë klube, të cilat janë gati të nisin betejën për ta afruar. Me golat e shënuar dhe paraqitjet me Kosovën në Ligën e Kombeve, sulmuesi konfirmoi se është gati për hapin e madh në karrierë. E ardhmja e talentit duket tejet premtuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *