Al Ain befasoi në gjysmëfinalen e Botërorit të klubeve. Klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe eliminoi River Plejtin pas goditjeve të penalltive. Rezultati i ndeshjes përfundoi 2-2, por arabët kaluan në finalen e madhe.
Heroi i Al Ain ishte Khalid Eisa, i cili priti një penallti gjatë kohës së rregullt dhe një gjatë goditjeve të penalltive në fund. Gardiani ka rrëfyer një sekret në prononcimin për “AS”, duke shpjeguar se pse Al Ain janë të saktë në goditjen nga pika e penalltive.
Ai po e pret me padurim finalen e madhe kundër Real Madrid (nesër ora 17:30), nuk e njeh aspak fjalën frikë si dhe tregon dy portierët më të mirë sipas mendimit të tij.
SEKRETI DHE BASTET – “Të gjithë lojtarët duan të luajnë në Europë dhe unë nuk jam përjashtim. Më pëlqen të sfidoj miqtë dhe shokët e skuadrës. Çdo ditë vendosim një iPhone si premio për fituesin e goditjeve të penalltive që bëjmë në stërvitje. Unë kam fituar rreth 80% të sfidave ku kam marrë pjesë dhe e kam shtëpinë plot me iPhone. Diçka e tillë na ka ndihmuar të përmirësojmë rendimentin tonë të goditjes së penalltive.”
REALI – “Në fillim të ndeshjes do të kemi të njëjta mundësi për fitore, 50 me 50, pavarësisht pozicionit tonë në renditjen botërore. Futbolli i shpërblen ata që vendosin zemrën në fushë dhe nuk e njohin fjalën e pamundur.”
IDHUJT – “Ka dy portier që mund të bëjnë diferencën në çdo skuadër: IKer Kasijas dhe Xhixhi Bufon. Mendoj se reflekset e bëjnë një portier më të mirë se të tjerët dhe Iker ka qenë gjithmonë më i miri. Një tjetër karakteristikë e rëndësishme është aftësia për të udhëhequr skuadrën dhe karikimi i shokëve të skuadrës. Në këtë aspekt më i miri ka qenë dhe është Xhixhi Bufon.”