Hercog: Dëmtimi i Zahavit na prishi punë, jam optimist për të ardhmen

Andi Hercog nuk ishte i kënaqur pas ndeshjes me Shqipërinë, por nuk e bën dramë humbjen në “Elbasan Arena”. Trajneri i skuadrës mike justifikohet disi me dëmtimin e sulmuesit kryesor Zahavit, por ai është i vetëdijshëm për pikat që duhet të përmirësojë për të ardhmen, teksa në konferencën për shtyp pas ndeshje fillimisht u shpreh:

“Çfarë ndodhi? Në vend që të shënonim dhe të shkonim në avantazh 1-0, humbëm një sulmues për dëmtim. Është pjesë e lojës. Zahavi u mundua të vazhdonte, pati pak konfuzion për pak minuta dhe nuk po dinim ç’të bënim, gjë që duhet ta rregullojmë për të ardhmen”.

Trajneri austriak e pranon se skuadra e tij ka elementë të rinj dhe se ende duhet kohë që të kuptohen idetë e tij. Gjithsesi, nuk i kursen kritikat, kur në momente të veçanta Shqipëria dominoi ndaj ekipit të tij.

“Në 20 minutat e para të pjesës së dytë nuk ishim në fushë dhe Shqipëria ishte shumë më mirë se ne. Është diçka që duhet ta korrigjojmë, sepse jashtë fushe nuk mund të bësh aq shumë gabime, por nga ana tjetër në pjesën e parë luajtëm mirë, patëm disa raste shumë të mira dhe mendoja se në çdo kundërsulm mund të shënonim. Janë lojtarë të rinj, me trajner të ri, disa gabime mund të ndodhin, por në përgjithësi skuadra luajti dhe reagoi mirë. Patëm momente të mira, disa të tjera të këqija, por në fund humbëm, sepse duhet të dish të shënosh kur të jepet rasti”.

Në fund numri një  stolit të Izraelit ka besim se gjërat mund të përmirësohen në të ardhmen, duke vënë theksin tek fakti se skuadra e tij do të luajë dy ndeshje në shtëpi, ku ka mundësinë që të rikuperojë gjithçka edhe falë mbështetjes së tifozerisë.

“Tani kemi dy ndeshje në shtëpi dhe mund të rregullojmë gjithçka. Humbëm vetëm 1-0, ndaj golaverazhi nuk është i keq. Do të luajmë në shtëpi, me mbështetjen e tifozerisë sonë. Skuadra po tregon shpirt luftarak dhe jam optimist, nëse fitojmë ndeshjen kundër Skocisë kthehemi në lojë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *