Herald Marku: Lamë dy pikë. Aleancat? Nuk e di…

Kastrioti mori një pikë kundër Tiranës, por edhe mund të fitonte. Krutanët bënë një ndeshje të mirë në kryeqytet dhe Herald Marku kishte një mundësi që të shënonte dhe t’i jepte tre pikët skuadrës së tij për ditëlindje. Kjo nuk ndodhi dhe mesfushori foli pas ndeshjes për mediat.

“Më vjen me të vërtetë keq, sepse mendoj se kishim raste shumë të pastra. Edhe Tirana kishte mundësitë e veta. Duke marrë parasysh se si shkoi loja, mendoj se ishim më mirë dhe po e kërkonim më shumë fitoren”, tha fillimisht Marku.

Më tej ai shtoi: “Na vjen keq, pasi mendoj se ne jemi ata që lamë dy pikë. Edhe në aspektin personal sigurisht do ishte diçka akoma më e bukur, nëse në ditëlindjen time të merrnim një fitore të madhe”. Në fund një pyetje edhe në lidhje me aleancat.

“I druheni aleancave, duke pasur parasysh emrin e Tiranës dhe të Kastriotit? Nuk mund të them nëse i druhemi apo jo, por ne jemi të sigurt që Kastrioti do të bëjë maksimumin të fitojë ndeshjet e veta dhe ta mbyllë me sukses. Sa i takon këtyre gjerave, nuk di çfarë të them”, përfundoi Marku.

DENIS LALA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *