Orges Shehi po përgatitet për të përmbysur ndeshjen e Dudelange dhe për të shkuar në turin e dytë. Bardheblutë do të ndeshen me kampionët e Luksemburgut, teksa përballja e parë përfundoi në shifrat 1-0 për kundërshtarët. Trajneri i Tiranës shprehet se Air Albania do të jetë një forcë e madhe për të shkuar në rezultatin që kërkohet aq shumë.
”Kemi besim te forcat tona dhe performanca e grupit. Ka shumë faktorë që ndikuan që performanca e ndeshjes së parë nuk ishte pozitive, por kemi besim se nesër do të kryejmë një performancë shumë herë më të mirë. Premio? Klubi ka qenë gjithmonë mbështetës i skuadrës, edhe në ndeshjet e kampionatit. Kjo mbështetje financiare nuk mungon, e kemi suportin financiar të klubit, presidenca e ka shprehur, por unë përqendrohem tek aspekti sportiv.
Air Albania? Skuadra ka avantazhin e vet, edhe për shkak të përmasave të fushës. Hera e parë që e pashë atë lloj stadiumi në Luksemburg, me ato përmasa. Flas me aq eksperiencë sa kam unë. Nesër luajmë në fushën tonë, ai shtet me potencial të madh ekonomik nuk ka një stadium si i yni. Shpresoj të shfrytëzojmë faktin që do luajmë në fushën tonë.
Shqetësimet për ndeshjen janë të mëdha. Duhet të kuptosh se çfarë ndodh që të reagosh. Shqetësimet i them përpara skuadrës, nuk i tregoj këtu. Jemi të qartë dhe të vetëdijshëm se çfarë duhet të bëjmë nesër. Është e vërtetë që ne luajtëm ngadalë dhe lejuam kundërshtarin të luante shpejt. Këtë ndeshje të tregojmë që kundërshtari është i fortë, ose të jemi skuadër tjetër dhe ta bëjmë kundërshtarin të duket shumë i vogël.
Ana psikologjike ndikon te lojtarët dhe personat që janë ballë për ballë. Fjalët ndikojnë, por unë mendoj se ne duhet ta marrim me durim dhe qetësi ndeshjen nesër. Ndeshja mbaron për 90 minuta, ndoshta edhe më shumë. Duhet të kemi durim”, tha Shehi. /Sport Ekspres/