Bajerni i Mynihut vazhdon të shfaqë interes të madh për mbrojtësin e Atletiko Madrid Lukas Hernandez. Bavarezët u munduan ta transferonin në Mynih francezin gjatë merkatos së janarit, por klubi spanjoll u bë pengesë duke refuzuar ofertat e vazhdueshme të palës gjermane.
Në një intervistë për medien spanjolle “MARCA”, presidenti i Bajernit Uli Hënes, konfirmoi edhe njëherë se skuadra e tij e ka prioritet blerjen e kartonit të mëngjarashit. Në intervistë Hënes pranoi se klubi i tij është i gatshëm të paguajë klauzolën prej 80 milionë eurosh që ka mbrojtësi i Atletikos.
“Na duhet të ndërhyjmë patjetër në qendër të mbrojtjes. Nëse rrethanat do të na detyrojnë, s’do të kemi zgjidhje tjetër përveç se të aktivizojmë klauzolën e largimit të lojtarit. Drejtori jonë Salihamixhiç ka gjithçka në kontroll. Kemi kursyer shumë para. Është shpenzim rekord, por fundja Hernandez është një kampion bote” u shpreh presidenti i Bajernit.