Hebaj: Humba Shpresat për dëmtim, në Slloveni duhet të bëj më mirë

Rubin Hebaj, një nga talentet e shumta që ka lënë Shkodrën për të kërkuar fatin dhe karrierën larg Shqipërisë, nuk u grumbullua nga Shqipëria U21 për ndeshjet kundër Sllovakisë. Nuk është se ka bërë keq në Slloveni, ka shënuar disa gola të Domzhale, por formacionin e ka pasur tabu dhe kjo është paksa peng për sulmuesin, i cili për Shkodra Sport flet për karrierën në Slloveni dhe për Shpresat.

“Nuk jam shumë i kënaqur me ecurinë time të deritanishme tek Domzhale. Mbase kisha menduar se do të bëja edhe pak më mirë, por disa dëmtime që kam patur më kanë lënë disa kohë jashtë skuadrës. Tre golat e shënuar deri tani në kampionat janë një numër i pëlqyeshëm, nisur nga ajo që ky është sezoni im i parë me këtë ekip, por besoj se deri në fund të kampionatit kam për të shënuar edhe gola të tjerë”.

AMBIENTIMI – “Ka qenë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një futboll krejt tjetër. Vrapojmë shumë, krejt ndryshe nga futbolli shqiptar dhe normalisht që duhej pak kohë të ambientohesha. Gjithsesi, mësimi i gjuhës pastaj por edhe mbështetja që më kanë dhënë shokët e ekipit, më kanë bërë të ndjehem mirë dhe ta konsideroj veten plotësisht pjesë e kësaj skuadre. Për mua e rëndësishme është të vazhdoj të luaj e të shënoj sepse Domzalen e shoh si trampolinë për të kaluar në kampionatet e tjera më të forta”.

SHPRESAT – “Nuk më ka ardhur keq që nuk jam grumbulluar, sepse isha i vetëdijshëm për këtë gjë. Dëmtimi që kam kaluar kohët e fundit, më ka lënë jashtë kombëtares U-21 për këtë ndeshje. E rëndësishme për mua është të luaj e të shënoj sa më shumë sepse po të ndodhë kështu, atëherë ftesa do të vijë për ndeshjet e radhës.

VLLAZNIA – “Më vjen keq që situata e saj vazhdon të jetë ashtu siç e kam lënë. E vetmja zgjidhje është privatizimi i klubit sepse nëse nuk ndodh kjo, atëherë situata ka për të vazhduar në këtë mënyrë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *