Talenti shkodran që po shkëlqen në kampionatin slloven është i pakënaqur për minutat në dispozicion, ndaj së shpejti pritet lëvizja në një klub të njohur europian
Gaspër Marku
Katër gola të shënuar deri tani në 13 ndeshje të aktivizuara si zëvendësues në kampionatin slloven janë një bilanc shumë pozitiv për shkodranin e talentuar, Rubin Hebaj. 18-vjeçari që vazhdon traditën e familjes si djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Ridvan Hebaj, pasi la Vllazninë ku spikati në kampionatin e një sezoni më parë si një golashënues i aftë kuqeblu u pikas nga specialistët e futbollit slloven, të cilët edhe bënë zyrtarisht pjesë të skuadrës sllovene Domzhale.
Në qershor mbushet plot një vit që Hebaj është pjesë e kësaj skuadre, dhe për hir të së vërtetës, sa herë është aktivizuar në fushën e lojës, spikatja e tij ka qenë e dukshme, ku përpos golave të tij, 5 në kampionat, 1 një kupë dhe një tjetër në miqësore, kontributi i tij për skuadrën ka qenë jo i vogël edhe në asistet për gola vendimtarë të Domzhales. Rrjeta e fundit që Hebaj regjistroi në kampionatin slloven është ajo e ndeshjes në transfertën e tre ditëve më parë ndaj Aluminij.
MERKATO – Falë moshës së tij të re, më 30 korrik ai mbush 19 vjeç, si dhe parametrat fizike dhe teknike që disponon, shtatlartë, shumë i lëvizshëm dhe inteligjent në lëvizjet, me dhe pa top e ka vënë atë në qendër të vëmendjes së specialistëve të futbollit slloven.
Pjesë e këtij vlerësimi është edhe koeficienti shumë pozitiv që Hebaj ka me katër golat e shënuar në ato minuta të pakta që i kanë dhënë në fushën e lojës kanë bërë që ai të cilësohet si futbollisti më me rendiment në kampionatin slloven. Por kjo nuk mjafton për Hebajn, sepse shkodrani, me oreksin dhe dinamizmin që e shoqëron në këtë moshë kërkon patjetër të ketë minutat e tij në fushën e lojës. Burime pranë lojtarit bënë me dije se për të po interesohen skuadra me emër në kampionatet e Gjermanisë, Çekisë, Danimarkës, etj. Ndaj, duke shfrytëzuar edhe një tip ftohje që Hebaj ka me trajnerin në lidhje me mosaktivizimin sa duhet në fushën e lojës, gjasat janë që në sezonin e ardhshëm futbollistik, shkodranin mund ta shikojmë në një skuadër tjetër.
Rastin në fjalë po përpiqen ta shfrytëzojnë menaxherët e futbollit, të cilët ka kohë që e ndjekin me interes në kampionatin slloven, ku Hebaj është vënë në shënjestër të shumë klubeve. Falë vlerave që disponon, Hebaj është pjesë edhe e ekipit tonë përfaqësues U-21, emri i të cilit figuron në listën e publikuar nga tekniku kuqezi Alban Bushi për tre ndeshjet miqësore që kombëtarja U-21 do të ketë nga data 24 maj deri me 8 qershor.