Hasanbelliu: Është sezoni më i keq, skandal nëse biem

Edmond Hasanbelliu nuk është një nga ata presidentë që kanë qejf të jenë në faqet e para të gazetave dhe në ekran çdo javë, përkundrazi. Nuk pëlqen të replikojë në distancë me kolegët, punon në heshtje dhe në një farë mënyre kjo e ka bërë të respektuar nga të gjithë, sepse nuk duhet harruar që Teuta nuk shpenzon kurrë si Skënderbeu, Flamurtari e Partizani, sa për të përmendur ndonjë emër. Teuta është si “nëndetëse”, rrallë del në sipërfaqe dhe ndonjëherë mund ta kishte fituar titullin, po të kishte pasur pak më shumë besim, si para pak vitesh, kur Kamza me një barazim të bujshëm dy ndeshje para fundit e çoi titullin nga Durrësi në Korçë. Pikërisht në Kamzë fitoi dje Teuta e tij, por Hasanbelliu është i ndershëm, kur në një intervistë për gazetarin Drilon Xhepollari dhe ‘eduasportin.com’, pranon se sezoni aktual është më i vështiri për Teutën e tij. Për Hasanbelliun, është koha që Teuta të hedhë një hap përpara në organizim: “Duhet të ndryshojmë mënyrën e menaxhimit, pasi në gjithë botën futbolli del me fitime dhe është kthyer në biznes. Edhe ne po punojmë për ta kthyer në shoqëri aksionere”.

FRIKA – “Kam përshtypjen se ky është sezoni më i keq. Ndodhemi në një pozicion tepër të vështirë dhe rrezikojmë shumë. Në sezonet e tjera kemi qenë për trofe ose mes tabele. Madje më saktë, një vit për trofe dhe një vit për mbijetesë”.

SEZONI AKTUAL – “Në fillim kishim ambicie të mëdha, Magani e ndërtoi vetë skuadrën. Zhvilluam një fazë mjaft të mirë, ndërsa afruam lojtarët që ai kërkoi. Kur filloi kampionati menduam se ishim pretendent, por skuadra nuk është ajo që prisnim. Kemi dështuar në merkato, me shumë lojtarë të huaj, është problem në skuadër. Në historinë time si president ky është viti me pagesat më të larta dhe këtë vit jemi më dobët se çdo herë tjetër. Ndjehem tepër i zhgënjyer. Tani primare është të qëndrojmë në Superiore, më pas do të ketë ndryshime drastike. Do të ishte një skandal nëse Teuta bie një kategori më poshtë”.

TRAJNERËT – “Trajnerët pothuajse i kam miq, por më shumë kam punuar me Hasan Likën dhe Sulejman Starovën. Në atë kohë edhe ata i kam pasur kundërshtarë, pasi të dy luanin në mbrojtje, ndërsa mua më pëlqen loja ofensive. Në një sezon kishim 24 pikë me tetë gola dhe i kam thënë Likës: “Po na bën me diabet”. (qesh) Pra kishte shumë emocione, por kjo lojë nuk më ka pëlqyer kurrë dhe kjo ishte një nga arsyet, që e ndërpremë bashkëpunimin me Likën. Edhe Starova të njëjtën filozofi kishte”.

LOJTARËT E PREFERUAR – “Bledi Shkëmbi ka qenë një nga lojtarët më të veçantë që kam pasur këtu. E kam marrë në vitin 1999 nga Skënderbeu, ndërsa është edhe lojtari i parë që kam shitur. Pastaj vjen Daniel Xhafaj, edhe ai ma ka dhënë shumë emocione. Nga durrsakët vjen Bledar Mancaku, edhe pse ishte shumë çapkën”.

PRESIDENTËT – “Njoh shumë presidentë, por disa prej tyre nuk janë më pjesë e Superiores, nga Agim Zeqo e me radhë. Me të gjithë kam komunikim dhe gëzoj respekt. I vetmi që nuk kemi relata është Ardjan Takaj. Skënderbeu më pëlqen, pasi kemi bërë ndeshja të bukura, por me atë nuk kam asnjë lloj komunikimi”.

SKËNDERBEU  – “Dënimi i mundshëm? Sigurisht lajm i keq, jo vetëm për Skënderbeun, por për të gjithë futbollin në Shqipëri. Nëse ata dënohen, UEFA do të na shohë me një sy tjetër. Dëshiroj shumë që të mos dënohet, shpresoj të kenë marrë avokat të aftë”.

LIGA – “Është nevojë emergjente. Kemi bërë dy takime për këtë çështje, ndërsa kanë firmosur 7 klube. Vetëm Flamurtari dhe Partizani nuk kanë firmosur. Në edicionin e ri, pra 2018-2019 do të fillojë patjetër. Liga ka shumë të ardhura,  do të kenë interes të gjitha klubet. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë të ardhura për klubet, nga reklamat dhe të drejtat televizive. 99% do të funksionojë me patjetër këtë sezon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online