Çelsi vazhdon të ruajë ecurinë rekord në këtë fillim sezoni, si skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje. Megjithatë barazimi 0-0 në “Stemford Brixh” me Evertonin është reflektuar menjëherë në renditje. Nga hapi fals, londinezët janë shkëputur 2 pikë nga Liverpuli dhe janë gjithashtu poshtë Mançester Sitit.
Në betejën përballë Evertonit, sfida e vetme në këtë edicion të Premier Ligës ku janë dhënë 5 kartonë të verdhë në pjesën e parë, Çelsi ishte edhe mjaft i pafat. Portieri Pikford ishte fantastik duke i mohuar Alvaro Moratës një gol të sigurt, ndërsa shtylla i mohoi golin Markos Alonsos.
Skuadra e Mauricio Sarrit e rriti në 18 numrin e ndeshjeve pa pësuar humbje. Për Çelsin kjo është ndeshja e 24-t, ku skuadra merr rezultat pozitiv në shtëpi, me statistikat, që mund të shërbejnë si ngushëllim për dy pikët e humbura.
Evertoni nuk ishte kundërshtari më i vështirë për të luajtur në “Stemford Brixh”, me ekipin e Marko Silvas që ka qenë larg pritshmërive në ndeshjet jashtë fushe. Megjithatë, tani blutë duhet të rikuperojnë forcat gjatë pauzës së ndeshjeve ndërkombëtare, sepse mes fundit të nëntorit dhe dhjetorit do të vijë një tjetër tur force, me tre ndeshje në javë.