Hamshik trondit Napolin: Erdhi koha…

Ajo që pritej, po nis të ndodhë, sepse yjet e Napolit po shohin vërdallë dhe janë me valixhet në dorë.

Jo rastësisht, edhe trajneri Mauricio Sarri para pak ditësh deklaroi se e ardhmja e tij të Napoli varej nga ajo e lojtarëve kryesorë, sepse projekti nuk mund të vazhdojë nëse ikin pikat kyçe.

Një prej tyre, kapiteni Marek Hamshik, ka dalë hapur, duke kërkuar largimin dhe flitet për një ofertë prej 10 milionë eurosh në sezon nga Kina. Deklaratat e tij janë paraprirë nga ato të babait të tij: “E duan në Kinë, oferta është shumë serioze dhe me 60% Marek ikën”.

Gjithsesi, në Kinë merkatoja është e ndërlikuar, sepse lejohen vetëm tre të huaj për ekip dhe zor se ndonjë klub ndryshon në mes të sezonit, ndaj duhet parë nëse sinjalet e familjes Hamshik lidhen me ndonjë tentativë për rinovim me rritje page.

Për gazetën sllovake Pravda, vetë Hamshik lëshon deklaratën që drithëron tifozët e Napolit: “Kam dhënë gjithçka për këtë skuadër dhe ndoshta është më mirë që rrugëtimi ynë të mbyllet këtu. Do të më pëlqente të provoja diçka të re. Këtë sezon menduam se ishte momenti ynë dhe do të fitonim titullin. Jam shumë i trishtuar, sidomos për tifozët, që e meritonin një kënaqësi të tillë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *