Po sikur Hames Rodrigez të kthehet te Reali? Hipoteza e hedhur nga mediat spanjolle po bëhet gjithnjë e më shumë korrekte, aq sa Marca shkruan në faqen e parë të ditës së sotme: “Hames dëshiron të kthehet”.
Mesfushori kolumbian nuk ishte një ndër të preferuarit e trajnerit Zinedin Zidan dhe kjo e detyroi të shkonte te Bajerni, por tashmë gazetarët spanjollë janë të bindur se mund të realizohet operacioni i rikthimit, me trajnerin Julen Lopetegi që ka dhënë miratimin.
PO BAJERNI? – Hesapet e medieve në Spanjë janë bërë pa hanxhinë, sepse Bajerni i Mynihut e pagoi 13 milionë euro vitin e shkuar huazimin e Hamesit për dy vite, me të drejtën e blerjes përfundimtare për vetëm 35 milionë euro.
Shifra qesharake në kohërat që jetojmë, ndaj Bajerni zor se e lë të lirë, çfarëdo që të thotë Hames. Sezoni i fundit ishte shumë i mirë, ashtu si Kupa e Botës, ndaj Reali mund të gjendet në një situatë komike: të paguajë për një lojtar që e pagoi 75 milionë para 4 vitesh!