Halili: Kemi bërë merkaton më të mirë të gjithë Shqipërisë

Presidenti i Tiranës flet pas mbylljes së merkatos dhe rikonfigurimit të ekipit që do të luajë në Kategorinë e Parë

Olsi Avdiaj

Refik Halili është i bindur se Tirana e tij do të shkëlqejë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Njëshi i bardhebluve, pas prezantimit të fanellave të reja të ekipit të tij ka folur për sezonin që pret bardheblutë, dhe si e sheh të ardhmen e skuadrës. Nuk kishte si të mos kujtohej episodi i hidhur i rënies nga kategoria. “E di që ekipi im dhe gjithë Tirana, nuk e meritojnë këtë që ndodhi. Nuk duhet të ishim këtu. Gjithsesi, tani gjithçka është mbyllur dhe është e kotë të flasim. Duhet të shohim përpara”, u shpreh në fillim Refik Halili.

Merkatoja – Presidenti i bardhebluve foli edhe për merkaton dhe skuadrën e re që ka ndërtuar ai dhe trajneri Ze Maria. Me një deklaratë bombastike ai pohon se ka bërë merkaton më të mirë në Shqipëri. “Kemi pasur lëvizje të mëdha. Na janë larguar lojtarë nga ekipi, por janë afruar shumë të tjerë. Gjithsesi, mund të them se ne kemi ndërtuar një skuadër të mirë. Kemi bërë merkaton më të mirë në Shqipëri. Kemi marrë emra cilësorë, që do të bëjnë diferencën. Njëri prej tyre erdhi dje apo para dy ditësh dhe i fundit do të vijë e shumta të mërkurën në Tiranë”, ka vazhduar Refik Halili.

Koha – Ajo që e shqetëson më shumë në këtë moment Refik Halilin është gjendja e blerjeve. Sipas tij, skuadra do kohë që të jetë gati. “Jo për të thënë gënjeshtra por skuadra do kohë që të jetë gati. Ka disa lojtarë që duan pak kohë, por e përsëris, jemi skuadra që kemi bërë merkaton më të mirë dhe më cilësore të Shqipërisë dhe do të bëjmë diferencën në fushën e lojës”, është shprehur Refik Halili.

Superkupa – Nuk kishte si të mos mungonte çështja e arritjeve dhe një nga titujt që është në lojë këtë sezon mbetet Superkupa. Gjithsesi, Refik Halili nuk zhbilancohet para ndeshjes me Kukësin. “Superkupa është një objektiv yni. Do të luajmë deri në fund për të dhënë më të mirën edhe në Superkupë. Gjithsesi, do të luftojmë edhe në kampionat për të bërë më të mirën. Duhet të kthehemi menjëherë aty ku na takon, në Kategorinë Superiore. Jam i bindur që do ta arrijmë shumë shpejt”, tha presidenti i Tiranës, i cili vazhdoi të flasë edhe për marrëveshjen me sponsorin teknik “Macron”. – “Është një marrëveshje e mirë. Ashtu edhe si sezonin e shkuar, edhe këtë sezon do të kemi materiale më cilësore. Shpresoj që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim”, ka mbyllur fjalën e tij Refik Halili.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *