Levante feston në fund: një gol në minutën e 93-të nga Boateng i ka dhënë suksesin 1-0 skuadrës së Armando Sadikut kundër Malagas, në një sfidë jetike për valencianët.
Malaga luante kot, sepse ishte praktikisht e rënë, por rezistoi deri në fund, në një përballje ku Levante kërkonte hakmarrje: në vitin 1965 Malaga e mundte në ndeshjet play-off dhe ngjitej në Primera, ndërsa në javën e parafundit të sezonit 2015-16 sërish Malaga fitonte ndaj Levantes, duke i shuar shpresat për qëndrim në Primera.
Pa Pacinin dhe me Sadikun në stol, Levante vuajti shumë, ndaj një rivali që nuk kishte asgjë për të humbur dhe luante pa presion mbi vete.
Në sekondën e fundit të ndeshjes, Boateng shënoi golin që zbret Malagan në Segunda pas 10 vitesh në elitë. Ndërkaq, Levante shkon +7 për momentin nga Deportivo e Sedorfit, që luan nesër në fushën e Leganesit. Nëse nuk fiton aty, Deportivo praktikisht zbret nga La Liga dhe Levante realizon synimin e madh të sezonit.