Ishte një ndër më deçizivët në garën e Interit për Champions League në fund të sezonit të shkuar. Huazimi i tij skadoi në fund të majit, teksa zikaltërit nuk paguan 38 mln eurot për ta mbajtur, sipas akordit me Barcelonën në janar… Po flasim për Rafinjan, brazilianin e Barcelonës që u largua i mërzitur, pasi priste që të qëndronte zikaltër.
Edhe tifozët e Interit kërkonin që të paguheshin paratë për ta mbajtur, pasi fitoi zemrat e tyre me impenjim, talent dhe sidomos shpirt sakrifice. Edhe Spaleti e shihte si një element tepër cilësor.
Interistët besuan deri në fund se mund të vinte, por tashmë e përshendetën dhe Rafinja është pranë kalimit te Real Betisi, pra huazim me të drejtë blerje 30 mln euro.
Vetë babai i Rafinjës, legjenda braziliane Mazinjo, ka udhëtuar në Andaluzi për të biseduar me krerët e Betisit, por ky është një lajm dyfish i hidhur për Interin. Sepse, kalimi i Rafinjës te Betisi mund të mbyllë kështu rrugën e Zhoao Marios te skuadra andaluze, duke qenë se palët po negocionin prej kohësh. Blerja e Rafinjës mund të prishë gjithçka dhe të lërë në Apiano Xhentile mesfushorin portugez, që nuk bën pjesë në planet zikaltër.