Hadroj i paralajmëruar, Bitri i rikthyer si “bishë” dhe i përhershmi Gurishta! Reja godet me ftesat e Superiores kundër Italisë

Shqipëria ka publikuar listën sa i përket miqësoreve me Italinë dhe Armeninë. Pritej që Superiorja të kishte ndikimin e saj këtë herë pas dy përballjeve të fundit, me Arabinë Saudite dhe Katarin.

Ashtu ndodhi, teksa Reja ka thirrur këta lojtarë: “Bitri, Hadroj dhe Gurishta”. Zgjedhje të goditura dhe tërësisht logjike, me futbollistët që e meritojnë këtë vëmendje. Për ta nisur nga Hadroj që është paralajmëruar që në ditët e para.

Futbollisti ka spikatur te Partizani pasi është një mbrojtës modern. Luan mirë jo vetëm në krahë për të mbyllur kundërshtarët, por ndihmon shumë edhe në fazën sulmuese. Ishte çështje kohe, ora mbërriti.

Për të kaluar te Bitri. Shumë mund të kishte për të kritikuar te ky lojtar kur ishte fillimisht te Partizani. Pas kalimit te Astana filloi edhe transformimi i mbrojtësit. Jo vetëm që do të shkëlqente te kazakët, por arrinte të shënonte edhe gola vendimtar.

Goli i tij kundër Aris në mes të Greqisë do t’i jepte kalimin e turit Astanas në Europë. Kur u rikthye te Partizani, Bitri ishte kthyer në një “bishë” që ishte e pakalueshme në qendër të mbrojtjes. Dukej si kalibër i rëndë për nivelin e futbollit shqiptar.

Pa harruar këtu edhe Erdenis Gurishtën. Sa herë që flitej për një futbollist të Superiores që mund të mbërrinte te Kombëtarja, përmendej pikërisht ky element. Gjithashtu edhe Reja e ka pëlqyer së tepërmi në këto dy miqësore, duke zgjedhur që t’i jap ftesën e merituar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *