Partizani u dënua të luante katër ndeshje pa tifozë dhe gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur mbështetjen e tifozëve. Të premten kundër Flamurtarit ata rikthehen. Guerrils ndërkohë nuk rrinë pa shigjetuar.
Diskutimet për rikthimin e policisë në stadiume nuk u pëlqejnë. E kanë më Ardjan Takajn, i cili pas trazirave në Korçë doli e kërkoi bojkotin e kampionatit nëse nuk kthehen policët në stadiume.
“Të premten rikthehet UG, të premten ushtron kryeqyteti! Këto javë mungesë në stadium kanë qenë barrë e rëndë për të gjithë tifozët e Legjendës, por siç mund ta keni parë të gjithë, orkestruesit e maskaradës janë çdo ditë nëpër ekranet e televizioneve duke u qurravitur!
Po kujt po i kërcet se çfarë duan ata? E rëndësishmë është se çfarë duan tifozët, se çfarë duam ne. Ndaj të premten, ora 19:45, mbështesim Partizanin në UG style, përtej rezultatit, përtej klasifikimit, përtej gjithçkaje!
Arsyet për të qenë të pakënaqur për mënyrat sesi ecin gjërat në klub janë me bollëk. Por tani ka rëndësi vetëm të jemi të shumtë për Legjendën tonë.
Të premten gjithashtu do të keni mundësi të bëni anëtarësimin tuaj pranë Ultras Guerrils për sezonin e ri, anëtarësim i cili kushton 1 mijë lekë të rinj”, shkruajnë Guerrils.