Guardiola po përjeton momentin e tij më të lumtur që kur ka marrë drejtimin e Mançester Sitit. Tri fitore në një javë të vetme, 15 gola të pësuar, asnjë i shënuar dhe një skuadër që ka nisur të funksionojë si një makineri perfekte. Fatin e keq këtë herë e ka pasur Uotfordi, i shkatërruar 6-0. Duke folur pas ndeshjes trajneri i Sitit është shfaqur i lumtur me paraqitjen e ekipit të tij dhe me fitoren tenistike. “Jam shumë i lumtur nga kjo fitore, sepse erdhi tri ditë pasi kishim marrë një rezultat të madh në Ligën e Kampioneve. Mënyra se si ekipi im e ka interpretuar ndeshjen më ka kënaqur së tepërmi. Gjatë kohës që kam drejtuar Barcelonën kam shijuar mjaft momente të këndshme dhe paraqitje fantastike. Por kjo javë me Sitin ka qenë vërtet e paharrueshme, kemi shënuar shumë gola dhe nuk kemi pësuar asnjë. Duket se kemi gjetur ritmin tonë, lojën tonë. mund të ndryshojmë disa variante gjatë lojës dhe kjo më kënaq”- ka thënë fillimisht Guardiola.
Të gjithë të rëndësishëm – Trajneri i Sitit ka shpjeguar gjithashtu se ajo çfarë e bën të fortë Sitin është stoli i fuqishëm. “Di të them se lojtarët e mi janë të gjithë të rëndësishëm, si ata titullarë ashtu dhe ata që vijnë nga stoli. Zëvendësuesit që zbresin në fushë sjellin gjithnjë diçka pozitive, i japin një shtysë lojës sonë.”
Diferenca e golave – “Mendoj se duhet të tregohemi seriozë deri në fund. Ndeshjet nuk duhen nënvlerësuar. Në Angli kampionati mund të vendoset nga diferenca e golave, ndaj dua seriozitet nga ekipi. Aguero? Ishte vendimi i tij për t’ia kaluar ekzekutimin e penalltisë Rahim Sterlingut”- ka thënë Pep.