Grushti që zgjon shtetin, të hënën ka zhvillime madhore

Ndodh që nga ferra del trëndafili. Mund të ndodhë që ai akt dhune ndaj Eldorian Hamitit në Kamzë të sjellë të mira të paimagjinueshme për futbollin shqiptar dhe presidentit Naim Qarri t’i thonë gjithë drejtuesit e klubeve faleminderit. Do të thoni ju, a mos kemi shkarë gjë?! Jo!

Themi jo, pasi ky moment mund të jetë pikënisja për një paketë të ndryshuar fiskal dhe për një ligj për sponsorizimet. Sporti ka nevojë për ndihmë, pasi dihet që për t’u kthyer në një biznes fitimprurës është shumë e vështirë. Gjithsesi të mirat që sjell në shoqëri janë të gjithanshme.

Të hënën do diskutohet gjerë e gjatë dhe në tryezë do të jenë të zotët e punës. Futbolli nuk do përfaqësohet vetëm nga kreu i saj, Armand Duka, por edhe nga zyrtarë e financues të klubeve. Këta të fundit janë të gjithë të interesuar që shteti të njohë investimet e tyre dhe t’ua kthejë disi atë që bëjnë përmes ligjeve dhe paketave fiskale lehtësuese.

Në takimin që do të zhvillohet në “Hotel Tirana Internacionale” prej orës 11:00 do të jetë i pranishëm edhe vetë kryeministri Edi Rama. Gjithashtu edhe Anila Denaj, aktualisht në krye të Ministrisë së Financave, e cila do të mbajë shënime mbi propozime e Federatës dhe përfaqësuesve të klubeve. Është momenti për të folur, jo për të ngritur kartonët.

SIGURIA NË STADIUME – Ka ndodhur shpesh këtë sezon që në impiantet tona të ketë akte dhune. Ligji i ri, me Policinë e Shtetit që vetëm qëndron në gatishmëri jashtë stadiumeve, duket se do të ndryshojë. Nuk është vetëm çështje financiare garantimi i rendit përmes kompanive private të sigurimit. Në shumë qytete klubet as që mund t’i garantojnë në numrin e duhur forcat e sigurisë. Kështu që rikthimi i Policisë së Shtetit në stadiume është diçka e pashmangshme.

Moment nga tensioni | Foto: LSA

FSHF nga ana tjetër po mendon që të parashtrojë edhe propozimet e saj dhe bëhet fjalë për masa ndëshkuese më të rënda për ata që shkaktojnë akte dhune në stadiume. Invadimi në fushë, dhunimi i zyrtarëve, por edhe grindjet mes tifozëve, në ligjin e ri të Sportit mund të konsiderohen një vepër penale.

Frika e ligjit sigurisht që do të ndihmonte në parandalimin e shumë ngjarjeve të pakëndshme. Shembulli është Anglia, ku dhuna vite më parë ka qenë e ulur këmbëkryq në stadiume. Këtë herë nuk do të ketë më deklarata, pasi përfaqësuesit e FSHF-së do të jenë në një tavolinë me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *