Koha për grupin e Gjermanisë, sepse sot pasdite luan sfidat e treta në grupin F dhe do të mësohen dy skuadrat që avancojnë e më tej.
Gjermania u mund bujshëm në debutim nga Meksika dhe fitoi me shumë vuajtje e fat ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit, duke marrë vendin e dytë falë një magjie nga Toni Kros në sekondat e fundit të kohës shtesë.
Ai gol ishte një çlirim për kampionët në fuqi, por edhe për shumë bastvënës, që sërish do të besojnë te Gjermania ndaj Koresë së Jugut, në një sfidë ku triumfi gjerman duket i sigurt dhe priten edhe gola. Kjo për faktin se skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv duhet të fitojë pastër për të mos pasur nevojë për llogari dhe pse jo për të fituar edhe grupin, nëse humbet Meksika, ndërkohë që Korea e Jugut nuk ka ç’të mbrojë më dhe tani luan shansin e fundit, duke qenë se fitorja e fut në valle, nëse Suedia humbet.
Gjermania bën ndryshime, sepse kthehen në formacion Humels e Ozil, shenjë se trajneri Lëv beson plotësisht te fantazisti edhe pse e uli në stol ndeshjen e shkuar. Humels merr vendin e të pezulluarit Boateng, Kedira kthehet në mesfushë dhe Gorecka merr vendin e Tomas Mylerit.
Sfida e skandinavëve kundër Meksikës është një betejë më vete, sepse një fitore me shumë gjasa do të kualifikojë Suedinë, ndërsa barazimi i mjafton Meksikës për të kaluar grupin si fituese e tij.
Me sa është parë deri tani, Meksika është favorite, duke qenë se ka luajtur futboll shumë të mirë dhe shënon me lehtësi të madhe, ndryshe nga Suedia, që armë të vet ka mbrojtjen e fortë.