Grupi A: betejë për kreun dhe rekord tek Egjipti

Nisin ndeshjet e fundit në grupe dhe tashmë shumë gjëra janë të qarta, sidomos në grupin A. Rusia vendase dhe Uruguai janë kualifikuar tashmë, por mbetet për t’u vendosur se cila skuadër kalon grupin si fituese e tij. Rusia ka habitur të gjithë deri tani, me 8 gola të shënuar në dy ndeshjet e para, duke luajtur një futboll mjaft cilësor, krejt ndryshe nga Uruguai, që në dy ndeshjet e para ka fituar me rezultat identik 1-0, pa luajtur mirë. Për këtë arsye, sfida direkte për kreun e grupit nuk është aq e thjeshtë sa mendohej para Botërorit, kur Uruguai nisej qartësisht favorit. Faktori fushë dhe entuziazmi po e ndihmojnë shumë Rusinë, që tashmë ka avantazhin se luan edhe për barazim, ndërkohë që presioni është i vogël në të dy krahët, sepse në turin e ardhshëm sido që të shkojë do të jetë përballë një emër i madh.

Në ndeshjen tjetër të grupit A luhet vetëm për krenari dhe për të mos e mbyllur pa pikë Botërorin, por nga sa është parë deri tani, Egjipti është superior dhe me të drejtë niset favorit ndaj Arabisë Saudite, me sulmuesin Salah që do të kërkojë të shtojë sasinë e golave në Botëror.

Tek Egjipti do të luajë nga fillimi Salah, por mbi të gjitha do të jetë titullar portieri Hosam El-Hadari, 45 vjeç, futbollisti më i moshuar që ka luajtur në një Kupë Bote.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *