Trajneri është i dashuruar pas presingut që në sulm dhe vertikalizimeve të shpejta. Sakaq, skema me 3 mbrojtës është ideale. Pritet sulmi me 3, me Andre Silvën titullar
Pas largimit të trajnerit Alegri, te Milani ka mbizotëruar kaosi, pasi janë të shumtë trajnerët e ardhur e të larguar, duke bërë që ekipi të mos jetë konstant në rezultatet e tij, madje të rrezikojë edhe kualifikimin në arenën europiane. Nga janari i vitit 2014, Milani ka ndërruar 6 trajnerë, përfshirë edhe shkarkimin e sotëm të Vinçenzo Montelës. Kjo tregon se te kuqezinjtë nuk ka stabilitet, ndërkohë që prej disa orësh skuadra i është besuar trajnerit të ekipit të të rinjve, një uragani si Xhenaro Gatuzo. Ky i fundit është një emblemë e klubit dhe idhull i tifozerisë, por si trajner do ta ketë të vështirë të arrijë ato objektiva që klubi ka pasur në fillim të sezonit.
Të rinjtë – Gatuzo ka pak muaj në krye të ekipit të moshave të Milanit, ndërkohë që sezonin e kaluar ka qenë trajner i Pizës, të cilën nuk e shpëtoi dot nga rënia e kategorisë ku luante. Këtë sezon nuk e nisi mirë, madje javët e para ishin katastrofike për të, por me kalimin e kohës gjeti modulin e duhur dhe tashmë “ish”-Milani i tij ndodhet në vendin e tretë, pas Interit dhe Atalantës. Idetë e tij në fillim të sezonit ishin për një Milan me 4 mbrojtës, por tashmë ka kaluar në skemën 3-4-3, që i ka dhënë rezultatet e duhura, por që i përshtaten edhe karakterit të tij euforik, me një skuadër më sulmuese. Jo vetëm kaq, por ai është një trajner që nuk rri rehat, pasi gjuha e trupit është një karakteristikë e Gatuzos, gjithnjë aktiv në stol.
Pritshmëritë – Natyrisht që trajnerit të ri Xhenaro Gatuzo do t’i duhen disa ditë për të qartësuar idetë e tij, pasi të ketë folur edhe me lojtarët që do të ketë në dispozicion. Më pas do të kuptojmë nëse Milani i tij do të jetë me 4 apo me 3 mbrojtës. Mundësitë janë që edhe tek të rriturit ai të adaptojë të njëjtën skemë si me të rinjtë, pra 3-4-3, me Suson e Bonaventurën në krah të një sulmuesi të avancuar. Në krahun e tij është një kalendar në favor, pasi kuqezinjtë do të përballen në kampionat me ekipe të lehta si Benevento dhe Bolonja e më pas do të luajë në Kupën e Italisë dhe në Europa League, ku tashmë kuqezinjtë janë të kualifikuar. Pra, 4 ndeshje jo shumë të vështira për të ndërtuar Milanin e ri. Ndërkohë do të pritet të shikohet se çfarë ndërhyrjesh do të bëjë “Djalli” në merkaton e janarit.