Grima: Burgu? Nuk më tremb, s’kam bërë asgjë të paligjshme!

0

Trajneri i kombëtares së femrave flet për çështjen e shoqatave dhe zbulon se më 7 shkurt nuk do të jetë në krye të saj

Intervistoi: Anton Cicani

Emri i tij është përmendur në debatet dhe akuzat më të fundit në lidhje me të drejtën e votës për zgjedhjet për kreun e FSHF në Asamblenë e Përgjithshme… Armir Grima, sot trajneri i kombëtares së femrave kuqezi, është përfshirë në një vorbull polemikash, duke qenë se ka mbuluar rolin e kryetarit të Shoqatës Rajonale Shkodër. Pikërisht kjo Shoqatë dhe 11 të tjera nuk figurojnë të regjistruara në QKR dhe si të tilla, sipas statutit të Asamblesë, nuk mund të marrin pjesë në votime. Po, sipas Amir Grimës, që në datën 7 shkurt do të jetë i pranishëm në Hotelin Adriatik në Durrës për zgjedhjet, e vërteta është krejt ndryshe… Ja intervista e tij për “Sport Ekspres”

-Zoti Grima, emri juaj është përmendur mes të tjerëve duke qenë se jeni përfaqësuesi i Shoqatës Rajonale Shkodër… Është thënë që veprimtaria për të votuar është e paligjshme pasi nuk jeni të regjistruar. Si e komentoni?
E para, më duhet të sqaroj diçka. Më 7 shkurt do të jem në Asamble, por me ftesë si trajneri i kombëtares së femrave dhe jo kryetar i Shoqatës Rajonale Shkodër. Jo vetëm kaq, por më duket e drejtë dhe oportune që të sqaroj dhe një tjetër pikë.
-Po, ju lutem vijoni diskutimin?
Kam lexuar dhe dëgjuar mbi akuzat që rëndojnë ndaj meje, por e vërteta është se në zgjedhjet e kaluara kam qenë thjesht i deleguar si kryetar i shoqatës dhe nuk kam marrë rrogë nga federata siç edhe rëndom është thënë.
-E megjithatë, është përmendur edhe fjala burg për ju dhe subjekte të tjera, duke qenë se në zgjedhjet e shkuara keni votuar. Në këtë kuadër është bërë edhe kallëzimi nga avokati i zotit Fino. A keni një përgjigje?
Atëherë, nuk më tremb asgjë dhe nëse do të jetë e nevojshme për t’u paraqitur në Gjykatë dhe marrë në pyetje ja ku jam. Nuk kam frikë ta përballoj dhe burgun edhe pse ky term më duket i rëndomtë…
-Pse e quani kështu?
Sepse iku koha apo periudha kur flitej për burg dhe përndjekje të këtij lloji. Më duket e ekzagjeruar të flitet për burg. Po tejkalohet masa në këtë aspekt.
-Ndërkohë, fushata që duhet të ishte paqësore po degjeneron me nuanca politike dhe presione. Si e komentoni?
Të them të drejtën është e dhimbshme kjo gjë, sepse politika me sportin nuk duhet të kenë asnjë lidhje mes tyre. E them këtë, sepse kemi parë se çfarë ndodh më pas.
-Sidoqoftë, pritet që më 7 shkurt të ketë polemika në rast se fiton Duka ose Fino…
Polemika do të ketë gjithmonë, sidomos në Shqipëri ku dihet tashmë se si funksionon. Akuzat janë pjesë e vendit tonë.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.