Si zakonisht, Kupa e Botës shërben edhe për të zbuluar ndonjë talent dhe te Rusia ka shkëlqyer Aleksandr Golovin, mesfushor ofensiv me cilësi mjaft interesante.
Vetëm 22 vjeç, talenti i CSKA-së po ndiqet me vëmendje nga shumë klube dhe CSKA e ka kuptuar se është koha për të hapur ankandin.
Nga 20 milionë që ishte çmimi në fillim të Botërorit, pak nga pak shkoi 30 milionë dhe rusët shpresojnë që të rritet më tej, sepse klubet angleze paguajnë shumë.
Megjithatë, Juventusi nuk ka ndërmend të marrë pjesë në ankand dhe shpreson të bindë së pari futbollistin, ndërkohë që oferta zyrtare për CSKA-në është në tryezë: 20 milionë euro në dorë, deri në 3 milionë euro shtesë në rast rishitjeje (deri në 10% të shumës).
Juve e ka me ngut, sepse brenda pak ditësh Çelsi do të emërojë trajnerin e ri dhe më pas me siguri Roman Abramoviç do të kërkojë të afrojë një rus në ekip. CSKA mendohet, por Juve nuk do ta presë gjatë.