“Goli i shpejtë na prishi planet”, Bledi Shkëmbi flet pas eliminimit të Tiranës: Na vjen keq, por ndeshjet në shtëpi ndonjëherë janë më të vështira se ato jashtë

Rrugëtimi i Tiranës në Europë është ndërprerë sot. Bardheblutë i thonë “lamtumirë” Conference League-s pas humbjes minimale 0-1 nga Torpedo Kutaisi. Vetëm 120 sekonda lojë dhe Torpedo Kutaisi ndëshkoi Tiranën. Ishte Johnsen-i ai që e dërgoi topin në rrjetë dhe i dha fitoren Torpedo Kutaisit. Kaq mjaftoi për gjeoergjianët që të prisnin biletën për në turin e dytë kualifikues të Conference League. Pas përfundimit të ndeshjes, Bledi Shkëmbi ka dhënë përshtypjet e tij të para për mikrofonin e “RTSH”-së.

“Të vjen keq, sidomos kur në ndeshjen e parë merr një rezultat pozitiv. Megjitëse e dinim që do të ishte e vështirë. Ndonjëherë ndeshjet në shtëpi janë më të vështira nga ndeshjet jashtë. Jam i kënaqur me lojën, pavërësisht se rezultati ishte ky dhe nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Patjetër që goli i shpejtë na prishi planet. Na rëndoi psikologjikisht. Me pak fat dhe qetësi mund të kishim shënuar dhe të kishim barazuar. Mund të bënim më shumë se kaq, nuk është ky limiti. Lojtarët e ardhur nga jashtë nuk janë në formën e duhur fizike. U duhet dhënë pak kohë. Jam i bindur që duke kaluar më tepër kohë bashkë në stërvitje do të jemi më të mirë dhe më të fortë”, ka deklaruar Bledi Shkëmbi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/