Goli i pësuar në Izrael, gafë apo mangësi në njohuritë e rregullores?!

Goli i pësuar nga Kombëtarja në minutët e tetë të ndeshjes në Izrael, krijoi jo pak përshtjellim. Rivënie fundore nga portieri, me topin që shkoi në këmbët e Hemed, i cili i vetëm përballë Strakoshës ndëshkoi kuqezinjtë. Një gol që erdhi si rrufe në qiell të hapur për skuadrën e Panuçit.

Episod i pabesueshëm, për një skuadër profesioniste. Ndoshta bëhej fjalë për një gafë, me mbrojtjen e Shqipërisë që ishte rreshtuar e gjitha mbi vijën e mesit të fushës. Ndoshta Mavraj me shokë nuk e prisnin atë pasim të gjatë nga portieri te sulmuesi i Izraelit. Përgjumje, mungesë përqendrimi… shumë ndoshta.

Por, nuk përjashtohet edhe fakti që ndoshta, mund të bëhet fjalë për mungesë njohurishë rreth rregulloreve të lojës. Kjo për faktin e thjeshtë se të gjithë lojtarët e repartit difensiv ndodheshin shumë lart në fushë, për të provuar të mbanin kundërshtarët në pozicion jashtë loje. Megjithatë, duke harruar një element shumë të rëndësishëm: pozicioni i Hemed nuk ishte i parregullt.

Për të gjithë ata tifozë apo ndjekës jo fanatikë të futbollit (të cilët jo domosdoshmërisht duhet ta njohin rregulloren e lojës me detaje), numri 10 i Izraelit nuk vlerësohet në pozicion jashtë loje, edhe pse ishte dukshëm më i avancuar se mbrojtësit shqiptarë në momentin e shkelmimit të topit.

 

Kjo sanksionohet nga rregullorja e FIFA-s, në të cilën sqarohet se në rivëniet fundore, rivëniet anësore apo nga goditjet e këndit, kur topi shkon direkt te lojtari që ndodhet mbi vijën e mbrojtjes, aksioni nuk vlerësohet në pozicion të parregullt. Kjo ndodhi edhe në Ber Sheva. Shqipëria e pësoi nga një pakujdesi apo nga mungesa e njohurive dhe vazhdimësia në Ligën e Kombeve duket më e kompromentuar se asnjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *