Goli, “derbi” me Laçin dhe distanca nga kreu, Shameti ka besim

Ndaj Kastriotit dhe në një ndeshje ku sulmi vuajti, Ylli Shameti ishte lojtari që mendoi të zgjidhte ndeshjen për Kukësin. Një gol dhe një asist nga kapiteni, për të zgjidhur një ndeshje që u komplikua, por mbi të gjitha për të larguar krizën nga veri-lindorët, pas dy humbjeve radhazi me Skënderbeun dhe Partizanin, rivalë direktë.

“Pas dy ndeshje jo të mira me dy rivalë kryesorë, erdhi momenti të merrnim tre pikët, për të vazhduar. Shpresojmë që ky tre pikësh të na motivojë dhe të vazhdojmë me fitore të tjera”, tha Shameti për “SuperSport”, duke shtuar: “Padiskutim që është shumë e bukur të shënosh, për më tepër që fituam në trasfertë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu”.

Mbrojtësi foli për sfidën me Laçin, të cilën e cilësoi edhe një “derbi”, prej rivalitetit të sezoneve të fundit: “Të gjitha ndeshjet në këtë kampionat janë shumë të vështira. Ndaj Laçit në këto vitet e fundit kanë qenë si derbi. Janë një ekip simpatik, që vrapojnë dhe luftojnë të gjithë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të mos gënjehemi nga humbja e fundit e Laçit, por të qëndrojmë të përqendruar”.

Pas përfundimit të fazës së parë të kampionatit, Kukësi e sheh veten në vendin e tretë me 16 pikë, 6 më pak se Partizani kryesues. Diferenca nuk e shqetëson Shametin, duke qenë se sezoni është ende i gjatë: “Ne do të bëjmë detyrën, të motivohemi sa më shumë pas çdo ndeshje. E kemi fokusin te ndeshja e radhës me Laçin dhe nuk është problem sa pikë diferencë kanë rivalët tanë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *