Emri i tij lidhet shpesh me një largim të mundshëm. Sakrificë për të rregulluar bilancin për “Fair Play-n Financiar”, apo objektivi i madh i Realit të Madridit, që kërkon të gjejë idhullin e ri të tifozëve në “Bernabeu”. Megjithatë, Nejmar duket i lumtur në Paris, aty ku vazhdon të shënojë dhe të vendosë rekorde.
Primati më i fundit për sulmuesin, erdhi pas golit të shënuar në fitoren 2-1 ndaj Liverpulit. Me rrjetën e tij, Nejmar u bë zyrtarisht futbollisti brazilian, që ka realizuar më tepër në Champions League. Kapiteni i “seleçaos” u ngjit në kuotën e 31 golave.
Ai la pas vetes ish-fituesin e “Topit të Artë”, Kaka, me 30 gola. Podiumi plotësohet nga Rivaldo, i cili pozicionohet në vendin e tretë me 27 rrjeta të realizuara në Champions. Një rekord, i cili e konfirmon Nejmar si brazilianin më të mirë të evenimentit.