Gol nga këndi, por Naftëtari mbetet i fundit  

Një tjetër barazim i hidhur për kuçovarët, që ndoshta meritonin më shumë, ndërsa Turbina u duk e kënaqur me pikën e marrë në stadiumin “Bashkim Sulejmani”

Edi Spahiu

Kuçovarët gabojnë përsëri në fushën e tyre, duke lënë dy pikë të tjera të çmuara përballë Turbinës, njërit prej ekipeve rivalë të drejtpërdrejtë për mbijetesë. Edhe pse kanë zhvilluar një volum të madh loje, me raste të shumta, duket se fitorja ngelet e pamundur në këtë kampionat për kuçovarët.

Takim filloi me një rast për kuçovarët, të cilët rrezikuan që në minutat e para me anë të Cakes, duke goditur shtyllën. Kundërpërgjigjja e miqve vjen menjëherë, ku Saraçi ishte shumë afër golit pas një aksioni të shpejtë në krahun e djathtë. Në minutën e shtatë, vendasit do të godasin përsëri shtyllën transversale me anë të Nallbatit. Me të vërtetë kuçovarët janë të pafat, duke kërkuar edhe më pas golin e avantazhit. Në krahun tjetër, miqtë mbrohen, madje ka dhe ndërhyrje të ashpra, aq sa kryesori Ziri në harkun e 24 minutave ndëshkon tre futbollistë me kartonë të verdhë. Gjithsesi, Gërxho pas një ekzekutimit të një goditje dënimi prirazi me portën, godet traversën. Fundi i pjesës së parë mbyllet me përpjekjet e shumta të kuçovarëve, të cilët provojnë nga distanca, por Cake dhe Nallbati janë të pasaktë. Pjesa e dytë është e bukur. Në fillim janë vendasit që rrezikojnë, por menjëherë në minutën e dytë miqtë befasojnë, duke shënuar me anë të Agalliut. Në fakt ishte një gabim i futbollistëve kuçovarë, ku Klevis Roshi pas një inkursioni të shpejtë nga e djathta ka shërbyer për Agalliun, i cili i vetëm me portierin në një distancë rreth 5 metra, nuk e ka patur të vështirë të shënojë. Kuçovarët befasohen nga disavantazhi i shpejtë, por ka ende minuta. Është një dialog i gjatë i sulmit kuçovar me mbrojtjen mike, ku nuk mungojnë rastet për shënim. Më flagranti është ai i minutës së 69-të, ku lushnjari Allkanjari edhe pse shumë afër me portën, dhe i pambuluar, gjuan lehtë dhe jashtë. Pas një minute është lushnjari tjetër, i sapofuturi Gorovelli që godet me kokë, por pret portieri Malaj. Megjithatë goli i barazimit do të vinte në minutën e 74-rt, ku Klajdi Pepa shënon drejtpërsëdrejti nga goditja e këndit. Në gol me të vërtetë shumë i bukur që rrallë është parë në stadiumin “Bashkim Sulejmani”. Pas barazimit, kuçovarët insistojnë akoma më shumë për golin e fitores. Krijohen disa raste, ku veçohet ai i minutës së 84-rt me anë të Koroveshit pas një goditje dënimi. Përfundimisht, një barazim tjetër i hidhur për kuçovarët, që ndoshta meritonin më shumë, ndërsa Turbina u duk e kënaqur me pikën e marrë në stadiumin “Bashkim Sulejmani”. 

NAFTËTARI 1

TURBINA 1

Shënues: K. Pepa 74′ / Agalliu  47′

Naftëtari: Spahiu, E.Kajo, Hadaj (Gorovelli 70’) Haxhiu, K.Pepa, Koroveshi, Nallbati, Marini (Marra 46’), Cake (Hyseni 54’) A.Pepa, Allkanjari. Trajner: Brajan Fraholli

Turbina: Malaj, Bajrami, Peqini, Ferhati, Dollani (Toktash 61’) Roshi, Gërxho, Sallaku, Bakiu, Taulla (Qorri 66’), Agalliu (Allamani 91’) Trajner: Sinan Bardhi.

GJYQTARË: B.Ziri. E.Veseli. E.Burgu (Fushë-Krujë)

Kartonë të verdhë: Hyseni 75’/ Bajrami 5′, Peqini 14′, Bakiu 24′, Roshi 87′

VËZHGUES: S. Qyrku (Sarandë )

DELEGAT: Sh.Ali (Delvinë)

 

Fraholli: Të pafat, por nuk dorëzohemi

Brajan Fraholli, trajneri i Naftëtarit, ia vuri fajin fatit për barazimin e marrë në shtëpi. Sipas tij, skuadra luajti shumë mirë. “Mendoj se skuadra që unë drejtoj ka qenë krejt e pafat. Ndiej keqardhje vërtet të madhe, sepse kemi bërë gjithçka për ta merituar fitoren. Duket se tensioni i brendshëm që kanë pasur futbollistët, duke gjykuar rëndësinë e takimit dhe fitores që kishte për ne, ka ndikuar duke e vendosur skuadrën në një farë mënyre nën presion. Nuk kemi mundur të finalizojmë rastet e paraqitura dhe të meritonim fitoren. Unë dua të falënderoj skuadrën për përkushtimin e treguar, por më duhet të them se pas këtij barazimi ne nuk dorëzohemi. Kampionatin do ta vijojmë me shpresën për mbijetesën, sepse realisht gjithçka është e mundur”, ka mbyllur Fraholli.

Bardhi: Tani nis kampionati për ne

Sinan Bardhi është i kënaqur pas pikës së marrë në Kuçovë. Trajneri i Turbinës pranon se ishte një rezultat për të cilin kishte udhëtuar deri në Kuçovë. “Nuk duam ta fshehim kënaqësinë e këtij barazimi, sepse kishim ardhur në Kuçovë duke patur si objektiv një nga dy rezultatet pozitive që kishim në dispozicion. Them se skuadra ka vepruar shumë mirë, duke e përballuar presionin që kishte ky takim. Pa e tepruar mund të deklaroj se me pak më shumë kujdes në administrimin e avantazhit mund dhe duhet të kishim dyfishuar shifrat dhe të dilnim me një fitore nga kjo transfertë delikate. Për Turbinën tani ka shumë rëndësi që të mos lëmë më pikë në fushën tonë dhe të mundësojmë qëndrimin pa probleme në kategori”, është shprehur Bardhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *