Me fanella të kuqe. Taulant Xhaka me Shqipërinë, Granit Xhaka me Zvicrën. Turneu: Liga e Kombeve. Skena e gjitha për dy vëllezërit, që në Euro 2016 u kthyen në fenomen mediatik, si europianët e parë nga një familje, të cilët luanin si kundërshtar.
Ishin sërish ata protagonistët e fundjavës në turneun më të ri të UEFA-s. Historia në këtë rast ka shumë paralelizma. Momente të vështira të përjetuara dhe reagim prej kampionësh.
Taulanti i rikthyer në Kombëtare pas disa muajve mungesë për shkak dëmtimi. Menjëherë i përzgjedhur titullar nga Panuçi dhe goli i fitores ndaj Izraelit. Një ëndërr e bukur pas makthit të kaluar.
Situatë mjaft të vështirë përjetoi edhe Granit Xhaka në Zvicër. Për javë me radhë nën akuzë, pas festimit me shqiponjë të golit ndaj Serbisë. Të shtunën, në ndeshjen me Islandën në Ligën e Kombeve, trajneri Petkoviç doli kundër opinionit dhe e gradoi kapiten, në mungesë të Lihtshtajner.
Në ndeshjen e parë me shiritin në krah, mesfushori i Arsenalit e udhëhoqi skuadrën drejt fitores tenistike 6-0 përballë ekipit që në vitet e fundit ka mahnitur Europën dhe Botën. Në familjen Xhaka kishin arsye përse të festonin: brenda 24 orëve u ngritën nga ferri në parajsë…