Endri Çekiçi realizoi golin e tij të parë me fanellën e Ankaraguçu dhe ishte një kryevepër nga goditja e dënimit, ku shënjestroi portën nga këndi i pamundur. Sekreti i një goli të tillë fshihet pas shumë pune pas stërvitjes dhe këtë e zbulon vetë mesfushori në një intervistë për gazetarin Altin Sulçe në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News”.
Çekiçi ka folur për ecurinë e tij në Turqi, kampionat ku shqiptarët janë rritur shumë në numër kohët e fundit. E madje prurjet mund të vazhdojnë edhe këtë merkato, teksa talelnti i Kombëtares kuqezi zbulon se Albi Doka mund të jetë emri i radhës në kampionatin turk. Ofertat për të nuk mungojnë dhe mbetet për t’u parë nëse ish-mbrojtësi i Tiranës do të lërë Goricën në Kroaci për të bërë një lëvizje në atë që duket si “toka e premtuar” për lojtarët shqiptarë.
“Tani ndjehem më mirë, jam ambjentuar me ligën, me qytetin, me klubin, shpresoj që në vazhdim të bëj akoma më mirë. Goditjet e dënimit janë të preferuarat e mia. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi dhe ta kem nisur mirë. Pas çdo stërvitje qëndroj 20-30 minuta për të tu stërvitur vetëm për goditjet e dënimit
Normalisht që ka konkurencë. Klubi ka sjellë shumë lojtarë gjatë merkatos së verës. Tani është hapur përsëri merkato dhe pritet të shohim çdo të ndodhë. Rëndësi ka që unë e fillova mirë. Do stërvitem që të jem një lojtar stabël. Normalisht tani vjen përsëri Kombëtarja dhe duhet të marr sa më shumë minuta. Fanella kuqezi është një ëndërr e bërë realitet. Por kur e realizon një ëndërr duhet të kesh një tjetër. Tani kam ëndërr të kem sa më shumë minuta me Kombëtaren.
Ka shumë lojtarë shqitpar që mund të luajnë në Ligën Turke. Me sa kam unë informacion, një nga lojtarët që mund të vijë në të ardhmen në Turqi është Albi Doka. Ndoshta do jemi kundërshtar në të ardhmen. Unë jam shumë i afërt me menaxherin e tij, Mentor Stafa. Me sa di ka shumë oferta në Turqi dhe pse jo, do të ishte kënaqësi të luaja kundër Albit”, ka deklaruar Endri Çekiçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/