Goditja e klasit për Partizanin në merkaton e verës, sa shumë përfitojnë të kuqtë me Gjelbrim Taipin

Partizani i këtij sezoni do të ndryshojë ndjeshëm nga ai i kampionatit që lamë pas. Të kuqtë morën vendin e parë duke mposhtur rivalitetin me Tiranën, por Gaz Demit nuk i lanë aspak shije të mirë pikët e barabarta.

Shkëputja me trajnerin Kolela dhe drejtorin Marini e tregon më së miri këtë gjë. Një erë e re fryn tani për Partizanin, teksa Zekic ka ardhur në krye të skuadrës. Ky i fundit njihet si një teknik që kalon gjithmonë pritshmëritë e tifozëve dhe kjo shihet mjaft pozitive për Partizanin.

Sa i përket merkatos, emri markë për të kuqtë është padyshim Eros Grezda. Megjithatë duke njohur situatën e këtij të fundit, dyshimet janë të mëdha. Albers Keko është padyshim lëvizja që ngjall më shumë kureshtje, por transferimi që i jep më shumë kualitet është ai i Gjelbrim Taipit.

Një lojtar i mësuar me nivele të larta për futbollin dhe e njeh mirë ambientin në Shqipëri. Ndryshe nga gjithë të tjerët, pritet që për Taipin të mos jetë aspak problem përshtatja dhe nuk do të duhet kohë që tifozët të presin më të mirën prej tij. Në një Kukës që lëngonte në këto kohë të fundit, Gjelbrimi ishte i vetmi që bënte diferencën. Nëse gjithçka do të shkojë mirë te Partizani i Zekic, vlerat e këtij mesfushori do të dalin në pah si kurrë më parë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *