Mbrojtësi i Vllaznisë kërkon që skuadra e tij t’i japë drejtim çështjes së kalimit në çerekfinalet e Kupës. “Me cilësitë që kemi, besoj se do të vazhdojmë përpara”
Gaspër Marku
Olsi Gocaj, mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë, ka theksuar dje në konferencën për shtyp para ndeshjes me Tiranën se skuadra kuqeblu vjen në këtë ndeshje pas një momenti pozitiv, pasi dy fitoret e realizuara ndaj Lushnjes dhe Luftëtarit për kampionat i kanë dhënë moralin e duhur futbollistëve, duke larguar atë ngërç psikologjik që i kishte pushtuar prej shumë javësh. Duke folur konkretisht për sfidën që do të luhet të sot në “Selman Stërmasi”, Gocaj thotë se Tirana meriton respekt, por nga ana tjetër Vllaznia udhëton për rezultat pozitiv dhe me synimin për ta zgjidhur kualifikimin që në Tiranë, ku përpos një fitoreje të mundshme, edhe barazimi me gola konsiderohet një rezultat pozitiv.
Olsi, si është situata në skuadër pas dy fitoreve të arritura?
- Mendoj që dy fitoret e fundit kanë ndikuar pozitivisht tek ekipi, skuadra ka qetësi, ka fituar besim, mendoj se kemi dalë nga ai ngërçi psikologjik që kishim për mungesën e rezultateve dhe mosmarrjen e pikëve. Besoj që me cilësitë dhe kualitetet që kemi në ekip, do të vazhdojmë ecurinë pozitive dhe të tregojmë që këto dy fitoret radhazi nuk ishin rastësi.
Tirana-Vllaznia, e shumëpritur në fushën e lojës dhe jo në tribuna…
- Jam i mendimit se në radhë të parë Tirana meriton respekt, vlerësim maksimal, pasi dihet emri që ka në futbollin shqiptar. Megjithatë, ne shkojmë me objektiva të qarta për kalimin në turin tjetër. Besoj se do ta zgjidhim në fushën e lojës, normalisht që në ndeshjen e parë.
E rëndësishme është që të mos pësohet gol në kësisoj rastesh. Vllaznia shkon edhe për ta fituar ndeshjen?
- Mendoj se rezultat pozitiv është edhe barazimi me gola. Jam i bindur se do të arrijmë që të marrim një rezultat pozitiv, pse jo edhe fitore.
Keni pasur probleme shëndetësore në ndeshjet e fundit. A do të jetë Gocaj i gatshëm për ndeshjen e Tiranes?
- Të them të drejtën unë kam dy-tre javë që nuk jam në gjendjen time optimale, por duke parë që edhe ekipi nuk ka shumë alternativa në mbrojtje, kam sakrifikuar. Besoj se ia ka vlejtur.
A do të vijojë ecuria e Vllaznisë edhe me Tiranën, por edhe me Laçin në fundjavë?
- Siç e thashë më lart, me cilësitë që kemi në ekip dhe kualitetet, besoj se do të vazhdojmë përpara të tregojmë që Vllaznia nuk është për mbijetesë.