Administratori i kuqebluve kërkon që skuadra të mos kalojë në eufori, ndërkohë që pranon se nëse do të ecet me këtë ritëm, Vllaznia mund të shikojë edhe diçka më lart në renditje
Gaspër Marku
Te Vllaznia kanë kohë për ëndrra dhe mendojnë më shumë sesa mbijetesa. Gjashtë pikët e marra në dy ndeshjet e fundit kanë sjellë një atmosferë tjetër në kampin kuqeblu. Për momentin Vllaznia është e shkëputur me katër pikë diferencë ndaj Teutës, rivales më të afërt që e ndjek nga pas, skuadër, e cila së bashku me Lushnjën e vendit të fundit përbëjnë dyshen e skuadrave që mund të largohen nga Superliga.
Fitoret në fjalë, dhe sidomos kjo e fundit me durrsakët në Loro Boriçi kanë ndryshuar tërësisht atmosferën në radhët e shkodranëve, që për hir të së vërtetës, periudha e pas dy humbjeve me Kukësin dhe Skënderbeun futi në stres të gjithë pa përjashtim, futbollistë, trajnerë e drejtues. Njëri prej atyre që vërtet e ka ndier jo pak situatën problematike, që po kalonte Vllaznia e fillimit të vitit 2018-të ishte edhe administratori, Astrit Gjyrezi. Ndaj, edhe për të kjo fitore e fundit me Teutën ka pasur impaktin e vet pozitiv, gjë të cilën nuk nguron ta shprehë edhe për Sport Ekspres.
“Patjetër që ishte e domosdoshme arritja e kësaj fitoreje, sepse na riktheu në pozita më të mira në tabelën e klasifikimit, duke iu larguar edhe më shumë skuadrës rivale në luftën për mbijetesë. Ndeshja e javës së kaluar në Lushnjë ishte një hap pozitiv për skuadrën tonë. Po kështu, edhe kjo me Teutën na rriti edhe më tepër besimin në vetvete. Po mundohemi të rikthejmë qetësinë, hapat janë pozitivë. Jemi shumë të kënaqur me këto dy paraqitje, sepse duke siguruar pikë sigurojmë edhe qetësinë e duhur”, thotë administratori Gjyrezi.
Dy transfertat – Për njëshin e klubit kuqeblu, dy fitoret radhazi me Lushnjën dhe Teutën kanë padiskutim vlerën e tyre reale në rritjen e skuadrës. Por sipas tij, nuk ka mbaruar asgjë sepse beteja të tjera e presin skuadrën kuqeblu në vazhdimësi.
“Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe pa euforinë e zakonshme, që në të tilla raste pasqyrohet në skuadër. Ndeshja me Teutën u fitua. Këtu mbaron edhe gëzimi për këtë ndeshje, ndërkohë që menjëherë ekipi vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës, e cila do të luhet në Gjirokastër. Për këtë ndeshje kemi një postim, që do të thotë se luhet ditën e shtunë, pasi mesjavën e ardhshme kemi ndeshjen tjetër në transfertë me Laçin. Kështu që nuk ka vend për eufori, por vetëm për punë”, shprehet Gjyrezi, duke shpresuar që skuadra të ketë të tjera rezultate të kësaj natyre në vazhdimësi.
Duke folur konkretisht për dy ndeshjet e radhës, të cilat kalendari i përcakton që Vllaznia ti luajë që të dyja jashtë, Gjyrezi beson jo pak në marrjen e rezultatit pozitiv. “Dy ndeshjet jashtë radhazi janë natyrisht të vështira, kampionati është shumë i ngjeshur, po besojmë që të marrim rezultat sa më të mirë” , thotë Gjyrezi. Ai është i mendimit se tashmë nuk konsiderohen më surpriza fitoret në transfertë. Ndaj, për këtë thotë: “Edhe ne po përgatitemi për dy ndeshje transferte, që janë realisht shumë të vështira në letër, por nga ana tjetër besojmë se do të kthehemi në Shkodër me rezultate pozitive” .
Më shumë se mbijetesa – Ashtu si edhe shumë të tjerë që janë të kënaqur me këtë ecuri pozitive të dy ndeshjeve të fundit, një gjë e tillë ekziston edhe tek administratori kuqeblu. Për këtë ai gjen rastin të përgëzojë skuadrën dhe stafin teknik, që arriti të dalë nga situatë problematike që ishte përfshirë, por nga ana tjetër thotë se Vllaznia duhet të vijojë të punojë me shumë përkushtim edhe gjatë javëve për të marrë edhe fitore të tjera. Sepse kështu sigurohen pikët e duhura të shkëputjes nga dy vendet e fundit të tabelës së klasifikimit që të çojnë në Kategorinë e Parë. Gjyrezi e ka këtë besim tek skuadra kuqeblu, madje sipas tij, nëse edhe në ndeshjet e tjera në vazhdim do të vijohet të luhet me këtë ritëm, pretendimet e Vllaznisë, duhet të jenë edhe për më lart. “Shkëputja nga ekipi i Teutës na jep qetësinë e duhur, por kampionati është i gjatë. Ka shumë ndeshje, duhet të shikojmë absolutisht përpara, duke pasur besim në marrjen e rezultatit pozitiv, atë që kërkon edhe publiku ynë. Ne luftojmë fillimisht që t’i largohemi mbijetesës, por gjithmonë duke pasur synime për më lart në tabelë. Shpresojmë, se në qoftë se do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe këto rezultate, patjetër që do të shkojmë sa më lart në klasifikim”, përfundon për Sport Ekspres, administratori i kuqebluve, Astrit Gjyrezi.