“Nuk i trembemi Skënderbeut, apo asnjë skuadre tjetër”. Eglentin Gjoni hedh dorezën e sfidës përpara finales së Superkupës së Shqipërisë, që do të luhet të dielën në orën 19:45 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Në intervistën për “Super Sport”, mbrojtësi beson te fitimi i trofeut, si një mënyrë që sezonin e ardhshëm, Laçi të ngjitet edhe më lart.
LAÇI – “Jemi totalisht gati. Ekipi po stërvitet mjaft mirë, pas pjesëmarrjes në Europë, që mund të them se ishte e suksesshme. Skuadra është gati dhe, me dy afrime besoj se do të jemi shumë mirë. Shpresoj ta nisim sezonin me trofe”.
SKËNDERBEU – “Jo Skënderbeun, por, asnjë ekip tjetër nuk e kemi frikë. Laçi ka traditë dhe bën paraqitje mjaft të mira. Do të luftojmë në maksimumim t’a arrijmë objektivin. Do të ishte shumë mirë t’a nisim sezonin me një trofe, si për ecurinë e ekipit, ashtu edhe për moralin e të gjithë lojtarëve”.
OBJEKTIVAT – “Nisja e sezonit me trofe krijon besim te lojtarët, te stafi, tek të gjithë ne. Shpresojmë të jetë një ogur i mirë, për ecurinë e kampionatit dhe shpresojmë të vazhdojmë aty ku e lamë, e pse jo të shkojmë edhe më lart”.
GOLI – “Nuk është e rëndësishme kush shënon, por të fitojë ekipi dhe të marrim trofeun. Pastaj shënimi i një goli do të ishte shumë mirë”.