Fatmir Efica
Ka lënë dje Pogradecin, ku për 10 ditë kreu fazën përgatitore speciale. Egnatia është rikthyer në Rrogozhinë. Ndërsa, sot skuadra pret me optimizëm maksimal startin e sezonit të ri. Luhet me një takim ndeshja e kupës përballë Vorës që militon në Kategorinë e Dytë. “Për ne nuk ka asnjë dallim çështja e vlerësimit të ndeshjeve të Kupës me ato të kampionatit që do të startojë më 16 shtator në takimin shtëpiak ndaj Vllaznisë B. Në lidhje me përgatitjet e saj të mira bërë gjatë kësaj vere, si në Rrogozhinë ashtu dhe në Pogradec, “flet” edhe forma pozitive e shfaqur në 6 ndeshjet miqësore. Kemi arritur 5 fitore e një humbje kujton tekniku, madje disa nga fitoret kanë qenë me rezultate të thella. Skuadra jonë, pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar do të jetë surpriza e sezonit të ri. Duam të startojmë ndeshjen e sotme ndaj Vorës me fitore e kualifikim në turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Jo vetëm pse rikthehemi pas tetë vitesh mungesë, por edhe për faktin se në vite të shkuara kur ka marrë pjesë në Kupë, Egnatia është munduar të japë më të mirën e saj”, – qartësoi tekniku Gjonaj.
STARTI – “Sot në orën 15:30 luajmë para sportdashësve tanë që na kanë mbështetur gjithnjë me entuziazmin e tyre. Ndaj Vorës duam që gjithçka të ecë mbarë, pa e nënvlerësuar aspak ekipin mik i cili luan aktualisht në Kategorinë e Dytë. Është një ndeshje e vetme me eliminim direkt, ku asnjë gabim nuk tolerohet. Prandaj masat tona janë të tilla që sot të luajmë me sa më pak gabime. Të zhvillojmë lojën tonë karakteristike, me impenjim shembullor duke e kërkuar rezultatin pozitiv, me grintën tonë karakteristike dhe shfrytëzimin sa më mirë të të gjitha mundësive që do ta servirë kjo ndeshje e parë zyrtare për këtë sezon të ri. Kam bindjen, se falë edhe kualiteteve e përvojë që posedojnë futbollistët tanë, fitorja e kualifikimi do të jetë në anën tonë”, – ka pohuar trajneri rrogozhinas.