Gjoka tregon takimin me Murinjon: Ta kesh përballë është arritje për një trajner, sot nis epoka e re

Ernest Gjoka ka udhëhequr Shkëndijën në përballjen me Totenhemin, atje ku është humbur në shifrat 1-3. Por ekipi shqiptar i Tetovës është për t’u përgëzuar për mënyrën e lojës pasi ka bërë një ndeshje dinjitoze, madje edhe duke “e frikësuar” disi kundërshtarin për një ndeshje që mund të mbërrinte edhe në shtesë pasi u barazua rezultati në 1-1.

Në një intervistë të dhënë për “Supersport”, Gjoka ka treguar edhe takimin me Murinjon. Tekniku portugez e ka përgëzuar për mënyrën e lojës të Shkëndijës, duke e pëlqyer mënyrën sesi u përball me Totenhemin.

“Erdhi për të më dhënë dorën dhe më komplimentoi për ndeshjen që bëmë. Më tha se ishte një ndeshje shumë e bukur edhe nga ana jonë. Mendoj se luajtëm mirë, vramë frikën për kundërshtarin që kishim përballë dhe provuam të bëjmë ndeshjen tonë. Natyrisht që dihej cilësia e kundërshtarit, por ne provuam vazhdimisht të luajmë dhe t’ua komplikojmë punën.

E kisha thënë edhe më herët se pavarësisht rezultatit, ne do të dalim të fituar nga kjo ndeshje. Unë fitova atë që doja në fundin e ndeshjes. Të kesh kundërshtar Jose Mourinhon, është si një arritje për të gjithë ato sakrificat që një trajner bën gjatë karrierës së tij. Sa i përket Shkëndijës, sot për skuadrën fillon një tjetër epokë. Të luash në nivele të tilla kaq të larta, do të thotë që duke filluar nga ndeshja e radhës në kampionat, të tregojmë superioritetin tonë dhe të kthehemi në Europë edhe më të fuqishëm një vit më vonë. Është një motivim ekstra, por mbi të gjitha një ndërgjegjësim për forcën dhe atë që mund të arrijmë”, u shpreh Gjoka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *