Përgjithësisht, formacioni i parë ka nisur të marrë formë, por trajnerin e shoqërojnë akoma disa enigma në lidhje me titullarët e mundshëm
Gaspër Marku
Ashtu siç ishte planifikuar, edhe pse e diel, Vllaznia ka qenë e pranishme me tërë kontingjentin e saj në stërvitje. Përballja me kuksianët është në prag, ku siç është bërë e ditur do të luhet të premten duke filluar nga ora 17.00, ndaj tekniku Gjoka po nxiton të mbyllë gjithçka sa i takon enigmave që ai ka në lidhje me përcaktimin e 11-shes që do të nxjerrë në fushë nga minuta e parë. Referuar procesit stërvitor, duhet thënë se dita e djeshme nuk ka qenë fort favorizuese sa i përket kushteve atmosferike, pasi reshjet e shiut, hera-herës edhe të dendura kanë shoqëruar gjatë të gjithë së dielës qytetin verior. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar aspak teknikun Gjoka që të konsumojë të plotë të gjithë programin e hartuar për këtë seancë. Për tu theksuar është se kjo javë pritet ta gjejë skuadrën e kompletuar, ku lajmi pozitiv është përmirësimi i atyre futbollistëve që për arsye dëmtimi nuk e kanë patur të mundur të stërviten me grupin e parë. Këtu bëhet fjalë për Bardullën, Pjeshkën, si dhe Gocajn, të cilët gjatë ditës së djeshme, i pari ka qenë tërësisht “OK”, ndërkohë që edhe dy të tjerët pritet të bëjnë të njëjtën gjë, pasi treguesit e tyre rikuperues kanë rritje të theksuar.
Enigmat e Gjokës
Përgjithësisht, duket se njëmbëdhjetëshi që do të dalë në fushë nga minuta e parë mbrëmjen e së premtes kundër Kukësit, ka filluar të marrë formën e tij të plotë. Një gjë të tillë tekniku Gjoka e ka eksperimentuar në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara, atë ndaj Vllaznisë B në Ulqin, si dhe ndaj Tërbunit në Loro Boriçi, një ditë, pasi skuadra ishte kthyer nga faza përgatitore. Ato që nuk kanë nevojë të diskutohen fare, të paktën për momentin janë porta, ku stafi teknik, përfshirë edhe trajnerin e portierëve, Alfred Osmani kanë votëbesuar të riun Alen Sherri. Ndërkohë, me të njëjtin status janë edhe katër blerjet e reja, treshja e mbrojtjes, Malota, Berisha dhe Mersini si dhe sulmuesi Sukaj. Po kështu, edhe dy krahët në mbështetje të sulmit, Lika dhe Çinari, së bashku me Vucajn pak përpara tyre, janë të projektuar për të luajtur nga minuta e parë.
Ndërkohë, ajo që e shqetëson teknikun Gjoka është krahu i djathtë i prapavijës, aty ku zakonisht luan Gocaj, por që problemet me dëmtimet të shfaqura gjatë periudhës së fundit, kanë bërë që Gocaj të ketë të gatshëm Pjeshkën, ndërkohë që në miqësoren ndaj pukjanëve në atë rol u provua i riu Ruqi, madje duke e lënë në fushë për 90-të minuta. Pjeshka dhe Gocaj po bëjnë hapa përpara drejt kapjes së grupit të parë, që do të thotë se dilema se kujt tia besojë krahun e djathtë mes kësaj treshe mund të vijojë të jetë në fuqi deri ditën e ndeshjes. Por, përpos kësaj, enigma dhe dilema ka Gjoka edhe për dyshe e mesfushës që luan përpara mbrojtjes.
Krymi-Tafili kanë qenë në lojë për dy miqësoret e pak ditëve më parë. Duke e marrë të mirëqenë përformancën e mirë që vazhdon të paraqesë Krymi, mbetet për tu parë se kush do të jetë përkrah tij. Deri më tani, se Tafili e ka bërë në mënyrën më të mirë atë rol, por pretendimet për të luajtur nga minuta e parë janë edhe për Bardullën, që pas disa shqetësimeve muskulore është rikthyer me grupin. Po ashtu edhe nigeriani Nuredin Orelesi, që edhe pse pati luhatje me mungesa të shumta në stërvitje për arsye të vizës për të udhëtuar në Ulqin, forma e tij sportive ka ardhur duke u rritur ndjeshëm, duke i kërkuar Gjokes pikërisht atë vend në formacion.