Trajneri i shkodranëve analizon barazimin kundër Kamzës dhe momentin e keq në Shkodër, por garanton se kuqeblutë kanë mundësi të rregullojnë gjithçka
Në Itali kanë mbetur në histori fjalët e Fabio Kapelos pas titullit me Romën se “një titull në Romë vlen sa 5 në Torino e Milano”. Kaq e vështirë është të bësh gjërat si duhet në ambiente të nxehta, saqë duhet një sforcim i jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet për ta çuar misionin deri në fund. Me siguri si Kapelo është ndjerë vjet Ernest Gjoka, pas triumfit me Kukësin, klubi provincial që është kthyer në një nga epiqendrat e Superiores, pak a shumë si Skënderbeu, por që titullin nuk e kishte provuar ende. Ndoshta ashtu ndihet edhe tani në Shkodër Gjoka, aty ku pakkush shkon në stadium për të mbështetur skuadrën, por jashtë stadiumi të gjithë janë trajnerë. Pesimizmi që ka pushtuar Shkodrën prej vitesh është si Buna e Drini, që nga viti në vit kërcënojnë gjithnjë e më shumë qytetin dhe nuk po i gjendet zgjidhja, edhe pse të gjithë e dinë pse ndodhin përmbytjet.
Pesimizmi po gërryen nga brenda një qytet të çmendur pas futbollit, por që është mësuar të jetojë me garën për titull, me ndeshjet e mëdha, të fillimshekullit. Ajo Vllazni zor se kthehet më, por askush nuk e ka menduar ndonjëherë rënien nga kategoria. Ishte shumë pranë vjet, mund të bëhet realitet sivjet dhe për këtë fajin e kanë mbi të gjitha shkodranët, duke nisur nga ata që kanë menaxhuar klubin dhe nuk kanë shfrytëzuar si duhet një buxhet goxha më të madh se ai i Laçit, për shembull. Barazimi ndaj Kamzës ka qenë një bombë në Shkodër, ishin mprehur të gjithë për fitore, por futbolli është një lojë e thjeshtë, ku përballen 11 burra, nëse nuk ka prapaskena nga ato të zakonshmet në futbollin shqiptar. Tentoi sa mundi Vllaznia, i shkoi pranë golit disa herë, por nuk i eci, me minutat që kalonin dhe ia hiqnin pak nga pak energjitë, sidomos ato mendore. A mbaroi me kaq? Në Shkodër duket se po, duke parë dëshpërimin total në publik e media. Megjithatë, trajneri Gjoka një ditë pas ndeshjes e sheh gjithçka me më shumë qetësi e gjakftohtësi.
– Gjoka, barazim si humbje ai ndaj Kamzës.
– E kishim të qartë që duhej fitorja, por nuk ishte ndeshja e fundit e sezonit, nuk ishte një sfidë ku o fitonim, o ramë nga kategoria. Ndoshta u interpretua kështu dhe nuk e menaxhuam dot si duhej presionin e ambientit, e stadiumit plot dhe të renditjes shqetësuese, por barazimi nuk është fundi i botës. Mos të harrojmë që edhe në Durrës Kamza për pak fitoi dhe u duk se Teuta mori fund, ndërsa çdo javë ndryshon gjithçka.
– E megjithatë, javët e mbetura janë vetëm 3..
– A janë pak? Po, pak janë, por nuk janë zero. Nuk ka mbaruar asgjë. Nuk ka vdekur askush, mos ta dramatizojmë më shumë nga sa duhet, sepse realisht i vdekur është vetëm ai që heq dorë, që nuk shpreson më. Jemi dy pikë lagr rivalëve, shkojmë në ndeshjen e radhës me synim të vetëm fitoren dhe të shohim çfarë do ndodhë.
– Do të jetë përballë Partizani.
– Është një kampionat ku nuk ka më asnjë rëndësi kë ke përballë. Është një ritëm frenetik, ndeshje çdo tre ditë, skuadra që një javë shkëlqejnë e një javë vuajnë. Shihni Skënderbeun, që edhe në Lushnjë vuajti, apo edhe vetë Vllazninë, që në Vlorë ishte pak sekonda larg fitores. Nuk përbën asnjë problem fakti që luajmë kundër Partizanit, as që luajmë në Tiranë. Ndoshta në këtë moment është më mirë për skuadrën të luajë në transfertë.
– Pse po vuan kaq shumë skuadra, kur ka pasur edhe momente të shkëlqyera?
– E thashë edhe më parë, për faktin e thjeshtë që në futbollin shqiptar ka presion të tmerrshëm nga java në javë, çdo gabim i fut ekipet në depresion dhe është shumë e vështirë të përballosh presionin nëse nuk ke skuadër shumë cilësore, siç e ka Skënderbeu për shembull. Vllaznia është e vetëdijshme që nuk është në majën e Superiores, por nga ana tjetër nuk është për renditjen që ka. Jam i bindur që këta lojtarë me pak më shumë besim dhe qetësi mund të bëjnë gjëra të mëdha. Janë të gjithë lojtarë dhe persona të shkëlqyer, shumica kanë eksperiencë të madhe, duke luftuar edhe për tituj, ndaj u duhet vetëm besim dhe guxim, shumë guxim.
– Nuk është për renditjen që ka, por ndaj Kamzës kishte pauza të gjata në lojë, nuk u pa një Vllazni e egër për 90 minuta.
– Mos të harrojmë që kishim përballë Kamzën, ekip me lojtarë shumë cilësorë dhe me eksperiencë. Edhe Teuta ishte favorite në letër, por për pak u mund në Durrës nga Kamza, që jashtë fushe luan shkëlqyeshëm, duke pasur edhe lojtarë si Plaku e Fili në kundërsulm. Duhet ekuilibër, në Shqipëri nuk ka skuadër të aftë të mbyllë një rival në mesfushën e vet për 90 minuta, as Skënderbeu nuk e bën dot për gjithë ndeshjen. Jo rastësisht, Kamza i ka marrë shumë pikë Skënderbeut këtë sezon, edhe brenda në Korçë e ka vënë në vështirësi të mëdha.
– Është e paevitueshme të shihen rivalët, ju habit ecuria e Teutës? Ka fituar me Partizanin me një lehtësi irrituese për tifozët e Partizanit.
– Nuk dua të merrem me kundërshtarët. Në përballjen direkte na mundi para disa javësh, për fajin tonë. Shpresoj që të luhet futboll i ndershëm deri në fund, nëse ju po aludoni për ndonjë gjë. Partizani e di vetë ç’bën, ne do të kërkojmë fitoren që ndoshta do të ndryshonte sërish gjithçka në renditje e moral.
– A prisni një nder nga Flamurtari në Kamzë?
– Së pari, ne duhet të nderojmë veten dhe Shkodrën. Nëse fitojmë ndeshjet tona, do të shohim gjetkë. Sa për Flamurtarin, jam i sigurt që në Kamzë do luajë për vete, por për mua apo Vllazninë. Mjafton të shohësh renditjen, për të kuptuar sa nevojë ka Flamurtari për pikë, për Europën apo për të qëndruar në pozita të qeta.
– Skënderbeu kampion kundër Teutës, ju shqetëson kjo situatë?
– Natyrisht, do të ishte ndryshe nëse Skënderbeu do kishte nevojë për pikë, por dua të besoj se do të luhet në fushë, me impenjim serioz.