Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka mbetur i zhgënjyer nga humbja në Korçë, mbi të gjitha se skuadra e tij luajti mirë dhe krijoi edhe raste të mira për shënim.
Keqardhja – “Më vjen keq, këto janë diferencat që bën një skuadër e mirë. Megjithatë, duhej të ishim më të kujdesshëm në zbatimin e atyre që kishim provuar gjatë gjithë javës, duhej të kishim shënuar në pjesën e parë dhe më pas cilësia e Skënderbeut bëri diferencën. Mendoj se luajtëm mirë e krijuam edhe raste, por shumë e rëndësishme është që të ndryshojmë mentalitet, ndryshe nuk ecet përpara.
Rasti i Atsinës në pjesën e parë – “Janë gjëra që ndodhin në futboll, nuk kemi ç’ti bëjmë. Ndoshta do të kishte shënuar Hasani, që ishte pas tij, por janë gabime të pranueshme. Skuadra ka ndryshuar dhe po luan mirë, por tani e tutje rëndësi kanë pikët, duke parë renditjen.
Të luajturit në Korçë – “Natyrisht, të luajturit në Korçë nuk na favorizoi, është tjetër gjë të luash në Shkodër, përballë tifozëve të tu. Megjithatë, në fazën e dytë do të luajnë në Shkodër ndaj Skënderbeut, nuk ka problem. Transferimi i ndeshjes në Korçë ishte zgjedhja më e mirë e mundshme, nuk kishim zgjedhje tjetër dhe u detyruam të pranonim verdiktin e përgjithshëm.
Merkato – “Sulmuesit që kemi në dispozicion duhet të arrijnë gjendjen e vet më të mirë, në aspektin fizik, ndërsa për merkaton është ende tepër herët për të folur.
Ndeshja e javës së ardhshme – “Nuk e di realisht ku do të luajmë ndaj Lushnjes. Nuk ka vend për justifikime, gjithsesi, na duhen pikët, pak rëndësi ku luajmë”.