Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, donte të paktën një pikë në Vlorë dhe e mori. Ashtu si shkoi ndeshja, 3 pikët dukeshin në xhep, por në shtesë Flamurtari barazoi. Gjithsesi, ish-trajneri i Flamurtarit nuk e humb qetësinë dhe sheh me optimizëm nga ndeshja kundër Kamzës.
“Më vjen keq, kemi luftuar shumë, kemi dhënë gjithçka, kemi pësuar gol në fund dhe është e dhimbshme. Gjithsesi, duhet ta pranojmë, kishim ardhur për të mos humbur. E kisha thënë edhe para ndeshjes që synimi ynë ishte të mos mundeshim. Tani duhet të mendojmë për finalen e parakohshme kundër Kamzës. Duhet të luajmë si sot dhe të kërkojmë të marrim maksimumin.
“Penalltia? I gjuan Sukaj zakonisht, ndërsa pas tij janë Vucaj e Gocaj. Gjithsesi, nuk ka rëndësi, të gjithë mund ta humbasin një penallti.
“Goli i pësuar? Kjo na dhemb më shumë, sepse për 92 minuta ishim shumë vigjilentë dhe në sulmin e fundit na kapi paniku dhe pësuam gol. Ndoshta kështu ishte e shkruar, nuk kemi ç’bëjmë”.