Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, ka mbetur i kënaqur nga fitorja kundër Kamzës, përtej vuajtjeve, që sipas tij vijnë nga mungesa e besimit në vetvete dhe lodhja nga ndeshaj e kupës. Në Supersport, trajneri tiranas komentoi edhe merkaton e janarit.
“Vllaznia nuk është pa forcë dhe pa futboll, këtu duhet të luftojmë fort, që skuadra të bindet që vlen. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që kishim 5 mungesa, të gjitha të rëndësishme. Së dyti, shpenzuam shumë energji në mesjavë ndaj Tiranës dhe skuadra ishte e lodhur.
“I kënaqur nga fitorja me 3 gola? Rëndësi ka që skuadra të luajë futboll, të shkojë në mënyrë të rrjedhshme drejt portës kundërshtare dhe të dijë të administrojë ndeshjet, pa e humbur qetësinë, si në fitore, ashtu edhe në humbje. Mentaliteti është kryesori dhe të gjithë, nga lojtarët e deri te gazetarët, duhet të punojmë së bashku dhe në drejtimin e duhur.
“Kërcënimet nga familjarë të futbollistëve? Unë kam ardhur të bëj punën time, në një klub të madh dhe në një qytet që karakterizohet nga qytetaria. Nuk dua të komentoj gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin.
Krasniqi e Sukaj, në bisedime me Vllazninë? Së pari të mbarojë viti, të jemi profesionistë deri në fund. “Duhet të bëjmë shumë ndryshime, në disa reparte e pika që nuk janë aty ku duhet. Më është dhënë garancia për të afruar lojtarë, pak rëndësi kanë emrat në këtë moment, sepse lojtarët janë në aktivitet me ekipet e tyre, duhet të hapet merkatoja një herë, me qetësi.
“Qetësia e rigjetur? Në fakt, isha mësuar vetëm me fitore te Kukësi dhe nuk kam qenë i qetë pas humbjeve me Vllazninë, është e drejtë. Por futbolli kështu e ka, duhet të mësohemi edhe me humbjet”.