Edhe pse nuk u arrit të merrej të paktën edhe një pikë, drejtuesit konstatojnë frymë pozitive në skuadër. Synimi për rezultat pozitiv në transfertën kuksiane
Gaspër Marku
Humbja e pësuar të dielën e kaluar ndaj Partizanin në shtëpi nuk ka lënë një shije të mirë në opinionin sportiv shkodran. Megjithatë, edhe pse nuk u arrit të merrej të paktën edhe një pikë që për specialistët dhe analistët e futbollit shkodran një gjë e tillë ishte mëse e merituar, drejtuesit konstatojnë frymë pozitive në skuadër. Një gjë të tillë ato e kanë shprehur edhe në analizën e ndeshjes, e cila është zhvilluar dje pasdite. Nuk ka pasur pamje filmike, por gjithçka është konsumuar në dhomat e zhveshje, në të cilën krahas trajnerit të parë Ernest Gjoka dhe kolegëve të tij, Fatjon Tafaj, Alfred Osmani dhe Gjergji Poposka, kanë qenë të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të klubit të futbollit Vllaznia, administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Eugent Zeka. Në një afat kohor pothuajse një orë, në fokus ka qenë sfida Vllaznia-Partizani ku stafi si dhe drejtuesit, në bashkëbisedim edhe me futbollistët kanë analizuar gjithçka që skuadra kuqeblu ka performuar në fushën e lojës. Burime zyrtare pranë klubit të futbollit Vllaznia bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se përgjithësisht drejtuesit, si ata të klubit, por edhe të stafit teknik të skuadrës vlerësojnë frymën pozitive që skuadra ka paraqitur në fushën e lojës. Sipas tyre, problemet në skuadër vazhdojnë të jenë sërish prezente, por e rëndësishme është që tek ekipi në përgjithësi, si dhe tek individë të veçantë janë konstatuar lëvizje për mirë në drejtim të rritjes së grintës në fushën e lojës, si dhe mobilizim dhe përkushtim për të kryer sa më mirë detyrat e dhëna nga ana e trajnerit. Kjo, sipas tyre, është një garanci që në ditët e ardhshme skuadra të fillojë të japë shenjat e një rritje të nivelit të lojës, gjë që e presin që në ndeshjen e javës së tetë, kur në fundjavë.
Kukwsi – Vllaznia është mysafire në qytetin verior të Kukësit për t’u ndeshur në stadiumin “Zeqir Ymeri” me skuadrën kampione në fuqi. Një kalendar ky i vështirë për kuqeblutë, kur kemi parasysh se pas Partizanit dhe Kukësit, edhe në javën e nëntë përballë do të jetë një tjetër skuadër pretendente si Skënderbeu i Korçës, kryesuese e kampionatit, duke mos lënë mënjanë edhe ballafaqimin jo pak të vështirë me bardheblutë e Tiranës për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, edhe pse në një kalendar aspak të favorshëm, kjo nuk e dekurajon stafin e ri teknik, që duke bërë më të mirën në procesin stërvitor, gjatë ballafaqimeve të ardhshme të arrijnë të marrin pikët e duhura.
Stërvitjet zhvendosen në fushën e Golemit
24 orë pushim ka pasur skuadra kuqeblu që pas sfidës zyrtare të javës së shtatë ndaj Partizanit dhe pasditja e së martës, e ka rikthyer skuadrën sërish në procesin stërvitor. Por, në ndryshim nga herët e tjera ku Vllaznia është parë të stërvitet zakonisht në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”, dita e martë e ka gjetur skuadrën në një fushë tjetër, atë të Golemit. Arsyeja e një zhvendosje të tillë, sipas stafit kuqeblu ka të bëjë me atë që tapeti me bar artificial jep një ndikim negativ në aspektin fizik të futbollistëve, duke sjellë jo pak trauma muskulore. Ndërkohë, tashmë, me zhvillimin e procesit stërvitor në tapetin me bar natyral të fushës së Golemit, profesionalisht pretendohet që futbollistët të jenë më efikas në përvetësimin e programit stërvitor. Një gjë të tillë e ka pohuar për “Sport Ekspres” edhe pjesëtari i stafit teknik të kuqebluve, përgatitësi Gjergji Poposka, sipas të cilit një gjë e tillë do të vijojë edhe në ditët në vazhdim duke u gërshetuar sipas programit edhe me fushën sintetike të “Reshit Rusit”. Gjithnjë, referuar kësaj seance, edhe pse ajo është zhvilluar në një mot të ftohtë dhe me temperature të ulëta, kjo nuk e ka penguar teknikun Gjoka të konsumojë të gjithë programin e hartuar për minutat e programuara që përgjithësisht kanë shkuar në 120 të tilla. Ato kanë konsistuar qoftë në aspektin fizik, por më së shumti në atë tekniko-taktik, duke u gërshetuar edhe me lojë.