Southampton arriti që të merrte një tjetër fitore në Premier League, këtë herë duke mposhtur Norwich me shifrat 2-0. Forma e treguar nga ekipi i Hasenhutl ka shkuar përtej pritshmërive. Armando Broja e nisi si titullar edhe në mbrëmjen e djeshme, por nuk arriti të ishte protagonist dhe të linte gjurmë.
Hasenhutl vendosi që ta largonte në minutën e 81, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, u largua edhe sulmuesi tjetër, Adams. Në një intervistë pas ndeshjes, trajneri tregoi edhe arsyen e largimit të Brojës. “Gjithmonë je nervoz, nëse e shoh përsëri ndeshjen, ndoshta do të ndihem ndryshe. E largova Brojën jo për shkak të ndryshimit të formës, por sepse më duhej të largoja një sulmues.
Mendova fillimisht për t’i larguar të dy njëkohësisht, edhe Adams, por nuk e bëra në të njëjtin moment. Sa i përket formës, duhej një sulmues i freskët përpara dhe prandaj futa Long. Gjithmonë ka një shans për të pësuar gol dhe për këtë arsye aktivizova Stephens në vend të Brojës”, tha Hasenhutl që shkoi me 5 mbrojtës në minutat e fundit për të mbrojtur rezultatin. /Sport Ekspres/