Gjithçka nga e para, a është ky fillimi i duhur për Teutën?

Klubi, shoqëria aksionere, tribunat dhe ekipi. Me një kapiten të ri në “bord” dhe me shumë etje 

Gjergji Stefa

Në Ladorisht, një fshat 100% shqiptar në Maqedoni, mbrëmja nuk tremb askënd. Aq më pak Teutën, që nga Ohri bën përditë 20 kilometra për të kryer stërvitjen në fushën e fshatit. Nijas Lena është si i shtëpisë, sepse ka lindur këtu. Lena tani është kapiten i një skuadre, që është një miks mes lojtarëve me përvojë, atyre të rinj dhe atyre të huaj. Latif Amadu vjen nga Dinamo Brest si një përforcim i rëndësishëm, ndërsa Lajthia dhe Vila janë të rinjtë premtues. Ka dhe rikthime, ku përveç Lenës janë dhe Albi Dosti dhe Shpëtim Moçka. Portieri është ai i Shpresave, Elhan Kastrati, ndërkohë që nga Vlora kanë ardhur mbrojtësi Beqaj dhe sulmuesi Shehaj. Jo keq si organikë.

Trajneri është Gugash Magani. Ai vërtet nuk ka fituar ende asnjë trofe – si ka mundësi që nuk e ka arritur?! – por është trajneri më i kërkuar në treg. Në 3 vitet e fundit, pavarësisht se për rrethana të caktuara nuk ka shkuar asnjëherë, e kanë kërkuar dy herë Skënderbeu, të paktën tri herë Kukësi dhe një herë Partizani. Ka një profil specifik, është shumë punëtor dhe kërkon të lërë shenjë me një skuadër krejtësisht të riformuar.

Në Durrës janë kushtet ideale për të punuar. Klubi drejtohet nga familja Hysenbelliu për dy dekada dhe qetësia që mbizotëron në ambient është për t’u admiruar. Kjo është një familje shumë e rëndësishme në futbollin shqiptar, madje ka ruajtur shumë ekuilibra, sepse në këtë futboll për fat të keq shpesh janë afruar protagonistë jo të këndshëm ndër vite. Ata duan të bëjnë diçka interesante këtë sezon.

Partner i tyre është Ardian Bardhi, një biznesmen me ambicie, ndërkohë që klubi është shndërruar në një shoqëri aksionere, sigurisht dhe me kontributin e bashkisë. Diçka po bëhet edhe në lidhje me marketingun. Durrësi është qytet me potencial, por që gjithçka të marrë formë duhet një stadium pothuaj i ri. Tribuna kryesore është shndërruar në VIP, ndërkohë që në tribunën përballë janë vendosur stolat. Synohen sponsorizime për rreth 300 biznese në qytet, me një shifër prej 1 ose 2 mijë eurosh në sezon. Do ishte goxha ndihmë financiare.

Ka ardhur momenti, që Teuta të rikthehet protagoniste. Fatmirësisht, megjithëse ka shpenzuar më shumë se 15 milionë euro në këto 20 vite, presidenti Hasanbelliu ende nuk është dorëzuar për të arritur një ditë ëndrrën e tij: një titull kampion! Në daljet publike, por edhe private, është shumë i qetë, por nuk ka asnjë diskutim që kjo ambicie brenda tij ka qenë që ditën e parë. Më shumë se sa titullin, gjithnjë e kanë shqetësuar standardet, sjellja, klubi dhe edukata e atyre që punojnë për të, por sigurisht që vjen një ditë, kur kthen kokën pas dhe kupton se në fund të fundit gjithë ky kontribut duhet të shpërblehet me një kënaqësi personale dhe kolektive. Ndoshta nuk do të ndodhë që në vitin e parë, por në harkun e tre edicioneve Teuta do të lërë patjetër një gjurmë të madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *