Pas më shumë se dy muaj ndalesë për shkak të pandemisë, futbolli në Kosovë do të rikthehet javën e ardhshme me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës. Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka sqaruar në mënyrë më të detajuar, përgatitet e fundit për rifillimin e kampionatit, si dhe zhvillimin e ndeshjeve të mbetura deri në fund të këtij sezoni.
“Shpresoj që fillimisht të rikthehemi te futbolli dhe të ikë virusi. Natyrisht që ne i kemi bërë përgatitjet tona maksimale me mundësitë që kemi, duke respektuar udhëzimet e kërkuara. Sigurisht që do të zbatohet urdhëri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit dhe patjetër që jam i lumtur që klubet të gjitha i kanë bërë testimet e nevojshme Normalisht përveç marrjes së masave duhet të ruhemi edhe vetë sepse shëndeti është i pari. Ne kemi bërë dezifenktimin e të gjitha hapësirave që ndodhen në stadiumet e secilës skuadër’’- tha fillimisht kreu i FFK-së.
Ademi shtoi gjithashtu se shpreson që edhe futbollistët të jenë përgatitur maksimalisht për rikthim dhe gjithçka të shkojë sipas planifikimit deri në fund të këtij sezoni. “Shpresoj që janë përgatit edhe futbollistët për rikthim dhe besoj që do të shkoj në rrjedhë normale gjithçka. Uroj që të në shkojë në mënyrë normale. Uroj që asnjë futbollist të mos lëndohet fillimisht dhe sigurisht që të mos preket nga ky virus sepse besoj që më shumë se virusi do të jetë ndonjë lëndim që mund të marrë ndonjë futbollist për shkak u mungon përgatitja fizike pas një ndalese prej 2 muajsh të stërvitjes”, u shpreh Ademi. /Sport Ekspres/