U kthye te Atalanta pas huazimit te Benevento, por sërish mbetet në kërkim të një skuadre të re. Berat Gjimshiti vazhdon stërvitjen me ekipin bergamask, ndërsa dëmtimi i Varnier krijoi idenë se mund të qëndronte me zikaltërit.
Megjithatë, deri në fundin e merkatos, priten zhvillime. Kjo edhe për faktin se mbrojtësi kuqezi mbetet në radarët e një tjetër skuadre të Serisë A. Sampdoria vijon të jetë e interesuar për Gjimshitin.
25-vjeçari është në listën e objektivave të merkatos të klubit nga Xhenoa, ku vlerësohet si alternativë e Tonelit. Nëse nuk gjendet akordi për mbrojtësin e Napolit, atëherë drejtuesit e Sampdorias do të hidhen “all in” te shqiptari.
Mbrojtësi i Shqipërisë kërkonte të siguronte hapësirat e tij te Atalanta. Nga ana tjetër klubi mund ta mbante, duke vlerësuar se sezoni është i gjatë dhe nevojiten alternativa në rast dëmtimesh. Por, nëse oferta e Sampdorias është ajo e duhura, Berat Gjimshiti mund të shitet.